Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron si jotransparente Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, ndërsa Kuvendin e cilëson pa konsensus.
Në një konferencë për media pas përmbylljes së sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria aktuale është treguar jotransparente, ndërsa ngriti kritika se shumica parlamentare ka tradhtuar besimin e qytetarëve
“Për AAK-në ky ka qenë një sesion shumë dinamik. Nëse vlerësohen të dhënat numerike edhe nga raportet e organizatave, shihet se AAK edhe në aspektin e numrave edhe në atë kualitativ ka qenë grupi parlamentar më aktiv në këtë sesion. Ky sesion nuk ka qenë i lehtë për shkak se shumica parlamentare ka vazhduar në masë të madhe të shpërfaq arrogancën, duke mos dhënë llogari dhe përgjegjësi në raport me besimin. Shumica parlamentare e ka tradhtuar besimin e qytetarëve, duke e pamundësuar punën në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Fjalimi i plotë:
Kolapsi i shumicës parlamentare!
Në konferencën për media të Grupit Parlamentar të AAK-së theksova dështimet e këtij sesioni parlamentar. Për Grupin Parlamentar të AAK-së, ky sesion parlamentar ka qenë shumë dinamik, dhe në qoftë se vlerësohen të dhënat numerike nga raportet e OJQ-ve profesionale që e vlerësojnë punën e partive politike, shihet që AAK-ja ka qenë Grupi Parlamentar më aktiv në këtë sesion.
Ky sesion nuk ka qenë i lehtë për shkak se shumica parlamentare ka vazhduar në masë më të madhe se viteve tjera ta shpërfaqë arrogancën e vet të numrave me qasjen autoritare, duke mos dhënë llogari dhe duke mos dhënë llogari dhe përgjegjësi në raport me besimin.
Shumica parlamentare e ka tradhtuar skajshmërish besimin qytetar që e ka marr me mbi 50%, duke e pamundësuar punën e rregullt të Kuvendit të Kosovës dhe duke abstraktuar me metoda të ndryshme.
Kjo shumicë parlamentare dhe kjo Qeveri nuk e kanë marrë mundin të përgjigjet në pyetjet parlamentare të ngritura nga opozita. Në histori të të gjitha qeverive, kjo qeveri e përfaqësuar nga kjo shumicë, është qeveria më jo transparente, ndërsa shumica parlamentare më jollogaridhënëse ndaj besimit qytetar. Po ashtu, kjo shumicë e ka pamundësuar nga 12 qershori nuk ka mbajtur sesion plenar.
Në anën tjetër, në Komisionet hetimore, ka pasur tendencë të ketë puç dhe të merret udhëheqja e komisionit të cilin e udhëheqë deputeti, Shemsedin Dreshaj. Komisionet hetimore janë instrument i rëndësishëm parlamentar që e shfrytëzon opozita në çdo demokraci. Këto komisione janë sabotuar me të vetmin qëllim që të parandalohet e vërteta që në sektor të ndryshëm ka dështim, korrupsion dhe nepotizëm.
Ky Kuvend dhe kjo shumicë parlamentare e kanë trajtuar në aspektin e një anshëm të gjithë politikën që lidhet me temat e konsensusit në këtë kuvend.
Si grup parlamentar jemi të lumtur që kemi marrë pjesë në iniciativa të cilat e kanë shpërfaqur këtë qeveri dhe këtë shumicë parlamentare kundër kushtetuese. Jemi të lumtur që e kemi shpërfaqur qeverinë në tri tema: Nga 1 janari deri më sot, shoh Grupin Parlamentar të AAK-së të parin në adresimin e brengave të administratës shtetërore, duke filluar nga Ligji i Pagave, paga minimale, temat që ndërlidhen me të drejtat e veteranëve të UÇK-së, ngritjes së çmimeve, në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në votimin e ligjeve që lidhen me sigurinë në vend.
Kontributi ynë si grup parlamentar ka qenë shumë i theksuar në angazhimin tonë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, e cila rezultoi me votimin në Asamblenë Parlamentare, e po ashtu rezultoi me dështimin e kësaj qeverie për mos të qenë anëtar.
Kjo shumicë parlamentare e ka një besim historik të qytetarëve të Kosovës, po ashtu në historinë e qeverisjes është dështimi më i madh historik duke mos arritur një projekt të vetëm ta realizojë në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Kosova është e bllokuar gjithandej me rrugët e veta, ekonomia para kolapsi, marrëdhëniet me ShBA-në janë në nivelin më të ulët, ndërsa shteti ynë është nën sanksione ekonomike dhe politike nga Bashkimi Evropian
Në sesionin e vjeshtës, si grup parlamentar, zotohemi të përmbush të gjitha përgjegjësitë që i ka, për të ballafaquar qytetarin e Kosovës me të vërtetën, njëkohësisht për të ballafaquar këtë qeveri më dëmet që i bëri Kuvendit.
Falënderoj përfaqësuesit e mediave, të cilat në rrethana jo të lehta kanë përcjellë punën e Kuvendit, dhe edhe pse ka nisur një ligj i cili synon të kontrollojë politikisht dhe partiakisht një institucion të pavarur siç janë mediat, AAK-ja do ta bëjë punën e vet për të shpërfaqur këtë.
Jemi grupi parlamentar i cili ka mbajtur më së shumti tryeza tematike që ndërlidhen me pagat në sektorin publik, gjendjen në sektorin privat, ekonominë në vend, çështjen e sigurisë, të veteranëve të UÇK-së e tema që ndërlidhen më shëndetësinë, në veçanti me Ligjin për Sigurime Shëndetësore. Ky ligj dhe puna në këtë sektor është vërtetim i dështimit të kësaj qeverie
Ka qenë taktikë e kësaj Qeverie që të ikë nga ballafaqimi i dështimit të tyre – mbyllja e seancës plenare.