Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka shkruar të hënën në Facebook se është shumë e rëndësishme Kosova të ketë marrëdhënie të mira me Maqedoninë e Veriut, të cilat shton se duhet të ngritën në nivelin më të lartë.
Por, ai e ka quajtur të parakohshme vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Shkup pas skandalit të së enjtes ku në një incident në Aeroportin e Shkupit ishte e përfshirë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut do të duhej të kërkonte falje dhe sipas tij Qeveria nuk do të duhej të pranonte kompromis tjetër.
“Raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut duhet të ruhen, promovohen dhe ngritën në nivelin më lartë. Vet fakti se në Maqedoninë e Veriut jetojnë mbi 800 mijë shqiptarë, është interes jetik I këtij shteti dhe anasjelltas i Kosovës dhe Shqipërisë që njëra tjetrën ta shohin si aleat, të sillen dhe veprojnë si aleat duke respektuar njeri tjetrin. Mënyra si është trajtuar institucioni i Presidentit të Republikës së Kosovës është skandal diplomatik dhe më e pakta që do të duhej të pritej ishte kërkim falje nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut dhe qeveria e këtij shteti dhe me zotim se ngjarje të tilla të mos ndodhin në të ardhmen”
“Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Kurti nuk do duhej në asnjë rrethanë të pranonte kompromis tjetër. Vizita në Shkup pa kërkim falje nga ana e Maqedonisë Veriore ishte e parakohshme dhe gabim. Partitë politike dhe institucionet në Kosovë mund të kenë dallimet e tyre të brendshme por në raport me shtetet tjera duhet të veprojnë si një. Ne fund te fundit era e zgjedhjeve ne Kosove duhet te mbetet brenda kufijve te Kosovës dhe asesi te shfrytezohet politikisht ne vendet fqinje. Cenimi i dinjitetit të Presidentit të Republikës se Kosovës prek secilin qytetar dhe institucion ne Republikën e Kosovës, ku hyn edhe vet qeveria e Kosovës”, ka deklaruar Miftaraj.