Admir Shala, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për shkaqe personale e shëndetësore. Megjithëatë, ai ka kërkuar që të kthehet dhe të shërbejë prap si prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Dorëheqjen Shala e ka bërë përmes një shkrese që ia ka dërguar Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
“Në bazë te Rregullores në fuqi për emërimin e Kryeprokurorëve, saktësisht në bazë të Rregullores Nr.04/2023 për Plotësim Ndryshimin e Rregullores Nr.06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, të miratuar më datë 27 korrik 2023, në nenin 7, paragrafi 1, pika 1.1, të kësaj rregullore paraqes dorëheqje nga mandati i kryeprokurorit te Prokurorisë Themelore në Prizren, për arsye personale dhe shëndetësore”, shkruan Shala në letrën e dorëheqjes.
Ai ka deklaruar se pas dorëheqjes nga mandati i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren do të rikthehet në Prokurorinë ku ka shërbyer si prokuror, përkatësisht në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.