Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u përball me një incident në aeroportin e Shkupit të premtën, pas së cilit Presidenca e përshkroi situatën si “provokim të pastër” dhe tendencioze.
Kryeministri Albin Kurti, i cili po qëndron sot në Shkup, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Hristjan Mickoski tha se institucionet e Kosovës s’kanë qëndrim të tillë,
I pyetur se a qëndron akoma “në këtë vlerësim”, Kurti tha: “Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës qëndrim të tillë. Mund ta ketë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo institucionet e Republikës”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë deklaratën e saj që paraqet qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Gjithashtu e kemi parë edhe qëndrimin me deklaratë publike dhe zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme këtu, të Maqedonisë së Veriut. Besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin. Pra, le të zbardhet rasti. Janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë. Kryeministri Mickoski dhe unë nuk mund ta bëjmë tash edhe zyrtarin doganor, edhe policin hetues, edhe inspektoriatin e policisë, edhe atë që mbikëqyr sigurimin e aeroportit, e kështu me radhë. Siç u tha edhe në takimin që ishim, po bëhemi ngadalë por sigurt ekspertë të detajeve teknike, por unë besoj që sa i përket thelbit të gjësë tashmë jemi përgjigjur dhe masat po merren”, tha ai