Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka reaguar ndaj pretendimeve të ministrit Hekuran Murati, i cili ka thënë se BKS është duke i detyruar mërgimtarët të paguajnë polica kufitare për të cilat ka paguar Qeveria. BKS ka thënë se Qeveria e Kosovës ka paguar vetëm policat kufitare në afat prej një muaji, ndërsa policat me afat tjetër jo.
BKS megjithatë ka thënë se nuk është në dijeni që ka ndodhë një gjë e tillë, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve se nëse kanë paguar polica kufitare njëmujore, të aplikojnë për rimbursim.
“Ju njoftojmë se deri me këtë moment, zyrtarisht, nuk jemi në dijeni të ndonjë procedimi penal ndaj punëtorëve te BKS lidhur me këto raste të aluduara”, kanë thënë nga BKS.
Çdo qytetar që ka paguar për një policë 1-mujore, të cilën duhet ta kishte marrë falas, ftohet të kontaktojë BKS-në për të kërkuar rimbursimin dhe për të raportuar rastin. Nëse ka raste të keqpërdorimeve nga punonjësit e BKS-së, këto do të trajtohen me prioritet të lartë dhe përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore”, thuhet në përgjigjen e BKS-së.
Ndërsa për policat kufitare me afat si 15 ditë, 2 muaj, 6 muaj apo një vjeçare, BKS ka bërë të ditur se ato nuk janë të subvencionuara nga Qeveria dhe rrjedhimisht, qytetarët duhet t’i paguajnë.
Tutje, Byroja e Sigurimeve ka thënë se si pasojë e marrëveshjes me Ministrinë e Financave dhe BQK-në, industria e sigurimeve ka pësuar një dëm financiar, sipas tyre, prej mbi 2.5 milionë euro.
“Pavarësisht kësaj, ne kemi qenë të përkushtuar për të zbatuar me korrektësi dhe në mënyrë transparente të gjitha detyrimet e kësaj marrëveshjeje, në interes të qytetarëve”, ka theksuar BKS.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, ka thënë Byroja e Sigurimeve, në të përfshihen automjetet deri në 9 udhëtarë dhe të cilat e aplikojnë policën në afat prej një muaji. Nga kjo marrëveshje përjashtohen veturat e regjistruara në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, për të cilat ka regjim tjetër të policës kufitare.
Në anën tjetër Banka Qendrore e Kosovës (BQK) si institucion mbikëqyrës i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ka thënë se janë në dijeni të ekzistimit të disa dyshimeve që janë adresuar tek BKS-ja, në lidhje me pagesën e policave kufitare nga mërgimtarët që vijnë në Kosovë.
Ministri Hekuran Murati u ka bërë thirrje mërgimtarëve që vijnë në Kosovë, të mos paguajnë policat kufitare njëmujore për vetura deri në 9 pasagjerë, pasi që ato janë të paguara nga Qeveria.
Ai ka pretenduar se punëtorë të papërgjegjshëm, siç i ka quajtur ai, të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) nuk janë duke informuar saktë që polica kufitare është e subvencionuar dhe sipas tij, po i detyrojnë mërgimtarët që të paguajnë për së dyti.