Presidenca e Kosovës ka reaguar ashpër pas konferencës për media gjatë vizitës së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se mënyra se si u trajtua incidenti ku u përfshi presidentja Vjosa Osmani në aerportin e Shkupit, është për keqardhje.
Përmes një komunikate për media, presidenca ka thënë se kjo i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës.” – thuhet në komunikatë.
Veç kësaj, presidenca ka thënë se nuk duhen raporte e as hetime shtesë, sepse janë jorelevante pas pranimit të institucioneve të Maqedonisë së Veriut se ky rregull u imponua qëllimshëm.
“…për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare.”
Në këtë reagim të Presidencës potencohet se, siç thuhet: “Presidentja e Republikës së Kosovës ASNJËHERË nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën”.