Shefi i OSBE-së në Kosovë reagon për mbylljen e postës serbe në veri: Kthimi i palëve në dialog çështje urgjente

by Nexhat

Drejtuesi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë Michael Davenport, e ka vlerësuar si “urgjencë” rikthimin e palëve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ngjarjet e fundit – mbyllja e zyrave postare në komunat veriore dhe propozimet e rinovuara për hapjen e urës në Mitrovicë/Mitrovica për trafik – kanë nënvizuar urgjencën e kthimit në dialog. Të dyja këto çështje duhet të zgjidhen në procesin e udhëhequr nga BE”, ka shkruar Davenport në “X”.

“Por ky duhet të jetë dialog i fokusuar edhe një herë në përmirësimin e jetës së njerëzve të zakonshëm në Kosovë dhe rritjen e perspektivës për të rinjtë nga të gjitha komunitetet për të jetuar, punuar dhe rritur familjet e tyre këtu”, thotë më tej ai.

Për mbylljen e pikave të Postës së Serbisë në veri, kanë reaguar edhe misionet tjera në Kosovë si dhe Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zhgënjim ndaj Qeverisë së Kosovës ka shprehur të hënën SHBA-ja në një reagim lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

SHBA-ja i ka quajtur këto vendime si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

“Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, u tha në komunikatën e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

SHBA-ja tutje i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndërpresë veprimet e mëtutjeshme “të njënashme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Edhe Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar këtë vendim. Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.

BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.

Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur disa degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy