Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar sot Qeverinë Kurti se po merret vetëm me Serbinë për të mbuluar dështimin në qeverisjen e brendshme.
Hamza në një intervistë për Express ka thënë se propaganda e pushtetit fillon dhe përfundon me kërcënimet për luftë me Serbinë.
Sipas kandidatit të PDK-së për kryeministër, duke u marrë vetëm me Serbinë, pushteti ka harruar minatorët, policët, mjekët, ushtarët e pensionistët.
“Në diskursin publik, qeveritarët vazhdojnë t’ia qajnë hallin vetëm Serbisë dhe flasin vetëm për Serbinë për ti’ mbuluar të gjitha dështimet e tyre. Propaganda qeveritare fillon më “kërcënimet për luftë me Serbinë” dhe përfundon më të njëjtën gjë. Kjo është një qasje e gabuar e cila nuk sjell asgjë të mirë. Duke u marrë vetëm me Serbinë, qeveria e jonë i ka harruar minatorët, mësuesit, policët, mjekët, ushtarët, pensionistët e shumë e shumë çështje tjera të rëndësishme”, ka thënë Hamza
“Qytetarët e Kosovës meritojnë shumë më mirë dhe plani im synon të bëjë pikërisht këtë gjë. Unë dua të sigurohem se qytetarët e Kosovës të jetojnë në paqe, me paga shumë më të larta dhe me mirëqenie shumë më dinjitoze”, ka shtuar ai