Një person i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje në një diskotekë në Pejë është ndaluar për 48 orë. Ai po dyshohet për pjesëmarrje në rrahje, ku të përfshirë dyshohet se ishin edhe shtetas të Shqipërisë.Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Për rastin e rrahjes në diskotekë në Pejë, Policia e Shqipërisë më 07.08.2024 ka njoftuar se ka arrestuar në Shqipëri dy personat e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Përmes një njoftimi, Policia e Shtetit ka bërë të ditur se dy personat e arrestuar janë Rigels Rajku, i njohur si Noizy dhe Bahtjar Bajraktari. Dy të arrestuarit u shpallën në kërkim nga Policia e Kosovës nën dyshimin e kryerjes së veprës penale – lëndim i rëndë trupor. Për po të njëjtin rast në kërkim të Policisë së Kosovës është shpallur edhe Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.
Lushaj, sipas Policisë së Kosovës, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale lëndim i rëndë trupor. Për po këtë rast, është kërcënuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dënoi kërcënimin që i është bërë Nikçit më 08.08.2024, duke thënë se kërcënimi vjen si rrjedhojë e prononcimeve gjatë punës zyrtare të zëdhënësit lidhur me veprimet e ndërmarra nga Prokurori i Shtetit.