Lëvizja Vetëvendosje ka implikuar në rastin e Astrit Deharit, AKI-në, Policinë e Kosovës, Prokurorinë për arrestimet e aktivistëve të tyre lidhur me sulmin që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës më 2016.
Përfaqësuesi i këtij subjekti tha se atë kohë kishte një fushatë të egër kundër LVV-së
“Më 4 gusht 2016, ndodh sulmi me predhë në ndërtesën e Kuvendit. Ky ishte inskenimi i të gjitha institucioneve përfshirë majën e shtetit, policinë, AKI-në, Prokurorinë e gjyqësorin, ishte inskenim për ta fajësuar LVV-në. Prej datës 5 gusht 2016 deri me 25 gusht, sipas policisë se Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë. Më 29 gusht 2016 arrestohet Astrit Dehari bashke me 5 aktivistë tjerë me akuzën për sulm ndaj Kuvendit, kjo ishte dy ditë para se të mbahej protesta kundër dekmarkacionit”, ka thënë Kurteshi
Ai ka shtuar se arrestimi i aktivistëve të LVV-së në atë kohë u bë me urdhër politikë nga lartë.
“Me urdhër politik nga maja e shtetit te involvuar ishin AKI, Policia, Prokuroria dhe Gjykata, disa media të cilat do ti përmendim me emër. Prokurori Abdurrahim Islami para pensionimit kërkon arrestimin e aktivisteve, ndërsa urdhrin për arrestimin e tyre e lëshon gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, po ashtu pak para pensionimit”, ka thënë Kurteshi.
Kurteshi akuzoi mediat për publikimin e incizimeve siç tha ai të paautorizuara
“Ka pasur pastaj edhe në media, siç ishte nxjerrja e incizimeve të paautorizuara në media, para se ti merrte Prokuroria. Ato media kanë qenë Expressi, Klan Kosova ndërsa RTK atë kohë mbulonte gjithë propagandën kundër LVV-së”, tha Kurteshi.