Rriten shpenzimet, mbi 31 milionë € shpenzime të udhëtimit gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti”

by Merita

Shpenzimet e udhëtimit zyrtar brenda dhe jashtë Kosovës kanë shënuar rritje të hatashme gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti 2”. Nga viti 2021 e deri në fund të qershorit të vitit 2024, shpenzimet e tilla kanë arritur shumën e përgjithshme prej më shumë se 31 milionë euro.

Sipas raporteve të buxhetit, të përgatitur nga Ministria e Financave, shpenzimet e udhëtimit për gjashtë mujorin e parë të vitit 2024 kanë shkuar në 5.25 milionë euro, apo 12%  më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

banner

Ndërsa nga viti 2021 e deri në fund të vitit 2023 shpenzimet e tilla kanë kaluar shifrën prej më shumë se 26 milionë euro.

Kurti dhe bashkëpartiakët e tij sa ishin në opozitë disa herë i kanë kritikuar drejtuesit e institucioneve qendrore dhe lokale, siç thoshin për luksin e tepruar dhe për udhëtime sa për “të marrë mëditje”, por gjatë mandatit të tyre në krye të Qeverisë ka ndodhur e kundërta, duke vazhduar me avazin e vjetër të shpenzimeve buxhetore.

Sipas dokumentit të shpenzimeve buxhetore për vitin 2023, të cilin e posedon portali “FrontOnline”, institucionet e vendit gjatë vitit të kaluar për udhëtime zyrtare jashtë vendit, mëditje të udhëtimeve, akomodim dhe për transport kanë shpenzuar 8.7 milionë euro.

Këto shpenzimet janë më të larta për 1.5 milionë euro, krahasuar me vitin 2022 dhe për rreth 5.5 milionë euro më të larta se në vitin 2021.

Sipas të njëjtit dokument që e posedon “FrontOnline”, për udhëtime zyrtare brenda vendit, mëditje, akomodim transport, gjatë vitit të kaluar janë shpenzuar mbi 2.8 milionë euro, apo rreth 600 mijë euro më shumë se në vitin 2022 dhe mbi 1 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

Opozita qeverinë ‘Kurti’ e kanë cilësuar si kampione të shpenzimeve e luksit.

Shala: Qeveria “Kurti” e ka thyer rekordin e shpenzimeve të luksit, premtonte të kundërtën

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka kritikuar Qeverinë ‘Kurti’ për rritjen e shpenzimeve të udhëtimeve.

Shala thotë se “fatura” e pushtetit në luksin qeveritar ka thyer rekordin e të gjitha qeverive të tjera.

Shifrën për gjashtë mujorshin e këtij viti, prej 5.25 milionë euro, të harxhuar për shpenzime, Shala e cilësoi si shumë të lartë.

“Janë shpenzime shumë të larta, kostoja e Qeverisë në luksin institucional është e lartë si asnjëherë tjetër dhe është rekord i të gjitha qeverive në Kosovë”, ka deklaruar Shala.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se Qeveria ka demantuar premtimet e veta me statistikat e shpenzimeve të udhëtimeve.

“Qeveria në kohën e ardhjes në pushtet kishte premtuar reforma të mëdha , zvogëlim të shpenzimeve, zvogëlim në minimum të udhëtimeve zyrtare, të veturave dhe pjesëve të tjera të luksit qeveritar, fatkeqësisht të gjitha këto janë të demantuar nga vetë qeveria dhe statistikat”, thotë ai.

Shatri: Shpenzimet e luksit janë fytyra e vërtetë e kësaj Qeverie

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri ka deklaruar për FrontOnline se kostoja e shpenzimeve të udhëtimeve të institucioneve gjatë mandatit të Qeverisë ‘Kurti’ është “fytyra e gënjeshtrave të pushtetit”.

 “Tejkalim i çdo niveli të shpenzimeve të qeverive të mëparshme, fytyra e kësaj qeverie karshi premtimeve dhe rrenave që i kanë bërë për parën e popullit këso slogane që kanë qenë të komunizmit”, theksoi Shatri.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy