Numri i qytetarëve që kanë marr kredi nëpër bankat komerciale në Kosovë është rritur mbi 6 mijë deri në qershor të vitit 2024, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Afro 87 mijë qytetarë u janë drejtuar bankave të Kosovës për kredi në gjashtëmujorin e parë.
Ndërkaq, shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar deri në muajin qershor është mbi 5 miliardë euro, për çka nga njohësit e ekonomisë vlerësohet si shqetësuese. Derisa, norma mesatare e interesit ka shënuar një rënie të lehtë.
Përkundër kësaj, qytetarët ankohen për kamatat e larta, për çka thonë se po kanë vështirësi në kthimin e mjeteve. Ata potencojnë se për shkak të pagave të ulëta, po detyrohen të marrin kredi.
Qytetari Muhamet Godeni për KosovaPress thotë se për marrjen e 2 mijë eurove kredi, për shkak të kamatës së lartë, ka kthyer rreth 500 euro më shumë. Ai tregon se si rrjedhojë e çmimeve të larta në përgjithësi, ka hasur në vështirësi gjatë pagesave të kësteve.
“Janë shumë të larta kamatat, më të larta më nuk di. Në Evropë siç i marrë vesh janë më lirë se tek ne kamatat…Po ndikon edhe rroga, por ndikon edhe kamata e madhe, nuk ia vlen një kamatë. Kur i kam pas marrë 2 mijë euro kredi, 500 euro gati t’i ndalin kamatë. Nuk ia vlen, si me qenë haraq…A po keni vështirësi në kthimin e kredisë? Po si nuk është vështirë, dalin problemet, jeta e shtrenjtë dhe kjo ndikon…Qeveria mund të ndikojë tek bankat që mos t’i lejojë kamatën e madhe”, thotë Godeni.
Edhe Riza Krasniqi, kredimarrës potencon se kamatat janë shumë të larta. Ai konsideron se bankat në Kosovë kanë për qëllim varfërimin e popullit dhe jo zhvillimin ekonomik të vendit.
“Normal që janë të larta, edhe janë shumë të larta. Që nga paslufta janë hapur shumë banka të cilat nuk janë në shërbim të zhvillimit të ekonomisë dhe mirëqenies qytetare, por kanë për qëllim që popullin shqiptar ta bëjnë të varfër…A keni marrë kredi ndonjëherë? Po, kam marrë. A keni pasur vështirësi ne kthimin e tyre? Kur e merr një kredi, ti ke hyrë në një obligim të cilin duhet ta përfundosh. Njerëzit kur e marrin kredinë, e bëjnë me vetëdije…Çdo kredi merret për ta përmbushur një nevojë të caktuar të individit…Rrogat janë minimale, lëmoshë janë, këto janë rroga për të thënë e po mbijetoj”, potencon Krasniqi.
Eroll Maqedonci derisa tregon se ka marrë kredi për renovimin e banesës, thekson se është sfiduar në kthimin e mjeteve.
“Po janë të larta, shumë bile…Shumë të larta. A keni hyrë në kredi ju ndonjëherë? Po, dy herë…A keni pasur vështirësi në kthimin e mjeteve? Goxha vështirë e kemi pasur për t’i kthyer. Për rrogat tona, kamatat janë shumë të larta…(Kredinë) e kam marrë për renovim të banesës”, tregon Maqedonci.
Ndërkaq, nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thonë se numri i përgjithshëm i kredi marrësve është 86 mijë e 198 deri në qershor, mbi 6 mijë më shumë se vitin e kaluar në po këtë periudhë.
Në një përgjigje për KosovaPress, nga BQK theksojnë se shuma e përgjithshme e kredive në sektorin bankar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është 5.35 miliardë euro.
Sipas BQK-së norma mesatare e interesit për kreditë e reja në muajin qershor 2024 përllogaritet 6.12 për qind, e cila në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 6.50 për qind
“Bazuar në të dhënat e gjeneruara nga sistemi i Regjistrit të Kredive, numri i kredimarrësve ekzistues për gjashtëmujorin e parë 2023 dhe gjashtëmujorin e parë 2024 figuron si më poshtë: 01.01.2023 deri 30.06.2023 ishin 79,816 kredimarrës. Ndërsa në periudhën 01.01.2024 deri 30.06.2024 janë 86,198 kredimarrës. Përqindja e rritjes është 7.99% krahasuar me vitin e kaluar. Kreditë Bruto në fund të muajit qershor kanë arritur vlerën prej 5.35 miliardë euro. Norma mesatare e interesit në kreditë e reja për muajin qershor 2024 është 6.12%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak kemi rënie pasi që në qershor 2023 ka qenë 6.50%”, thonë nga BQK.
Ndërsa nga Shoqata e Bankave kanë treguar se vlera e kredive të reja të raportuara deri në muajin qershor 2024 është 236.5 milionë euro.
“Shoqata e Bankave të Kosovës nuk ka statistika sa i përket numrit të kredimarrësve, mirëpo vlera e kredive të reja të raportuara deri në muajin qershor 2024 është 236.5 milion euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 kjo vlerë është 17.6% më e lartë. Vlera e kredive të reja është 236.5 milion euro të raportuara deri në qershor 2024. Norma e interesit në kredi e raportuar për qershor 2024 është 6.12%. Në periudhën e njëjtë të raportimit vitin e kaluar ishte 6.50%”, thuhet në përgjigjen e tyre përmes emailit.
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj e vlerëson shqetësues faktin e rritjes së numrit të kredimarrësve.
Për KosovaPress, Kadrijaj thotë se bankat komerciale nuk janë aspak fleksibile, kështu duke qenë arbitrare ndaj bizneseve dhe qytetarëve.
Ai shton se Banka Qendrore e Kosovës duhet vepruar që bankat të jenë më të leverdishme për kredimarrësit.
“Në ekonomi të tregut është diçka normale të punohet me kredi, sepse është pjesë e të bërit biznes, si tek bizneset ashtu edhe tek ekonomitë familjare. Por, për fat jo të mirë në Kosovë ende nuk e kanë luajtur atë rolin e mirëfilltë ekonomik, për faktin që në vend për të qenë një shtytje për zhvillim ekonomik, kreditë kanë qenë ngulfatje. Duhet ta ngrisim si shqetësim, si rezultat që nuk e kanë arritur efektin e vet kreditë, për fat jo të mirë qytetarët dhe bizneset janë orientuar edhe tek fajdexhinjtë…Vlerësoj që Banka Qendrore e Kosovës duhet ta rrit investigimin më shumë, me qenë më të leverdishme kreditë, bankat komerciale me bizneset dhe qytetarët…01:42 Bankat komerciale aspak nuk janë fleksibile. Në vazhdimësi janë shumë arbitrare ndaj bizneseve dhe ndaj qytetarëve në përgjithësi. Në momentin që pagat e qytetarëve dhe bizneset nuk mund t’i mbulojnë investimet e tyre, ku shumica e pagave orientohen në shportën e konsumit, kjo është treguesi më i mirë që qytetarët nuk mund të bëjnë asnjë investim me të hyrat e tyre”, thotë Kadrijaj.
Përkundër uljes së normës mesatare të interesit, ekonomisti Mustafë Kadrijaj konsideron se kamata është ende e lartë. Sipas tij, qeveria duhet të ndërmerr hapa në këtë drejtim.
“Rënie ka, por ende (kamata) është e lartë. Vlerësoj që qeveria në këtë drejtim të bëjë diçka në raport edhe me bankat komerciale që edhe ato ta ushtrojnë aktivitetin e tyre biznesor konform me ekonomitë e tregut, por njëherësh jenë kreditë të leverdishme për biznesin dhe qytetarët në vend”, thekson Kadrijaj.
Përveç rritjes së kredive, edhe depozitat kanë arritur vlerën prej 6.13 miliardë euro, duke shënuar rritje për 67.67 milionë euro.
Ndërsa, fitimi i pastër i bankave komerciale në vend nga janari deri në maj të këtij viti ishte 73.6 milionë euro. Kurse, profiti i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jo bankare ishte 8.2 milionë euro gjatë kësaj periudhe, me një normë interesi në kredi 19 për qind. /Dukagjini