Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologji dhe Inovacionit (MAShT), Arbërie Nagavci, për grevën e cila është paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë (SBAShK-u), konsideron se nuk është koha dhe s’ka arsye për një gjë të tillë në shtator.
Ministrja Nagavci në një konferencë për media theksoi se deklaratat e kreu të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj për grevën, janë “deklarata të përvitshme e të vazhdueshme’.
“Deklaratat e Jasharit për grevën, deklarata të përvitshme e të vazhdueshme. Konsideroj që nuk ka as kohë, nevojë e as arsye për grevë.
Zëvendësministri është takuar me kryetarin e SBASHK-ut dhe me kolegët e tij para pak kohe. Ne kemi komunikim të vazhdueshëm jo vetëm me kryesinë e SBASHK-ut, por edhe me shkolla, me mësimdhënës, dhe i marrim me shumë seriozitet çdo breng apo shqetësim që mund të vij nga kush do qoftë”, theksoi Nagavci.
Zëvendësministri Taulant Kelmendi theksoi se ditë më parë ka takuar drejtuesit e SBASHK-ut, dhe sipas tij, nuk është paraqitur ndonjë ankesë për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore.
Ai theksoi se interes i SBASHK-ut, DKA-ve dhe i secilit punëtorë të arsimit është që nxënësit t’i kenë tekstet shkollore deri më 1 shtator kur fillon viti i ri shkollor.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që edhe këtë vit subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore dhe mjeteve shkollore do të mundësohet nga MSHHTI-i, sikur vitin e kaluar. Megjithatë, nuk e dinë se sa do të jenë çmimet e librave dhe as kosto e përgjithshme që do t’i kushtojë ministrisë për këtë subvencionim.