Presidentja afër shpalljes së datës së zgjedhjeve – krerët e partive mund ta takojnë ose t’i çojnë komente deri nesër

by Nexhat

Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do të mbajë zgjedhjet të rregullta për Kuvendin e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani nga data 26 korrik e këndej ka të drejtën që të shpallë zgjedhjet. Datat kur mund të mbahen ato, sipas ligjit, janë 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti. Për zgjedhjen e njërës prej këtyre datave, shefja e shtetit mbajti një takim me krerët e partive parlamentare më 31 korrik. Për konsultime shtesë ajo do t’i presë partitë politike deri më 16 gusht.

Presidentja Osmani ka mbajtur një takim konsultativ më 31 korrik me krerët e partive politike për t’ua marrë preferencat e tyre mbi datën e zgjedhjeve. Në këtë takim nuk shkoi kreu i partisë në pushtet, kryeministri Albin Kurti, si dhe mungoi gjithashtu partia kryesore e serbëve, Lista Srpska.

banner

Meqë datat në dispozicion ranë afër, Osmani pas takimit tha se s’kishte fort dallime e as insistime nga liderët partiakë pjesëmarrës

“Diskutimi ynë ishte në kontekst të këtyre katër datave. Siç edhe mund ta paramendoni nuk kishte një insistim të tepër, kishte preferenca sepse nuk është dallimi shumë i madh, po flasim për pak javë. Disa parti 26 janarin, tri-katër tjera që preferuan 9 shkurtin, dy-tri 16 shkurtin dhe kishte parti që s’kishin preferencë. Ende jemi brenda afatit të konsultimeve”, kishte thënë ajo në konferencën për media pas takimit.

Tre liderët e partive opozitare në Parlament ishin të së njëjtës mendje se zgjedhjet duhet të mbahen më 26 janar.

Kreu i subjektit më të madh opozitar Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, tha se meqë tentativa për zgjedhje të parakohshme s’kishte sukses, data më e hershme do të ishte më e përshtatshmja.

“Partia Demokratike e Kosovës, duke parë keqqeverisjen e deritanishme, ka kërkuar disa herë zgjedhje të parakohshme. Meqë zgjedhjet e parakohshme nuk ndodhën, për zgjedhjet e rregullta nuk ka nevojë të ketë shtyrje të pajustifikueshme – prandaj data e parë e vlefshme duhet të jetë data kur ne duhet të shkojmë zgjedhje”, tha Krasniqi, duke shtuar se partia e tij është e gatshme për cilëndo datë.

“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një Qeveri të re, të përgjegjshme, kredibile dhe të aftë, e cila ka dijen dhe kurajon që të rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit evropian”.

Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se data e zgjedhjeve do të jetë festë dhe se krijimi i një Qeverie të re “do të parandalojë zhbërjen e shtetit dhe do të rikthejë orientimin pro-perëndimor”.

“Zgjedhjet për LDK-në janë gjithmonë festë! Si manifestim i demokracisë dhe rikthim tek qytetari, ato na vijnë në një moment kritik për vendin dhe për gjeneratat e ardhshme. Prandaj, përbashkimi i së djathtës sot është thirrje për shpëtim!”, tha Abdixhiku.

Ndërsa, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se shpreson që presidentja ta përfillë kërkesën e atyre që iu përgjigjen ftesës së saj për takim.

“Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe ta përfillë kërkesën e partive parlamentare që ishin pjesë e këtij takimi dhe ditën e zgjedhjeve ta caktojë më 26 Janar”.

Haradinaj tregoi se partitë e pakicave joserbe u shprehën të gatshme të pranojnë datën e shumicës, apo datën që e përcakton presidentja.

Disa ditë më vonë, Osmani priti në zyrën e saj edhe kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Në takim u diskutua lidhur me përgatitjet dhe konsultimet që po bëhen për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, tha Presidenca.

Sipas Presidencës, Radoniqi e njoftoi Osmanin lidhur me çështjet që sipas KQZ-së është me rëndësi të merren parasysh gjatë vlerësimeve rreth caktimit të datës së zgjedhjeve.

“Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për votimin nga mërgata dhe hapat që duhet të ndërmerren në mënyrë që kjo e drejtë të realizohet siç është përcaktuar në ligjin e ri. Po ashtu Presidentja potencoi rëndësinë që në ditën e zgjedhjeve të bëhen organizimet e nevojshme për qasje të lehtë edhe për personat me nevoja të veçanta”.

Osmani shprehu besimin se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që procesi zgjedhor të realizohet duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe standardet më të larta demokratike

Ndërkaq, së fundi Zyra e Osmanit iu ka dërguar edhe një letër partive që nëse duan të kenë konsultime shtesë mbi këtë temë mund ta bëjnë deri më 16 gusht.

“Sot ju shkruaj për t’ju njoftuar se nëse keni nevojë për konsultime shtesë për këtë çështje, Presidenca mund t’ju presë në takim deri më datën 16 gusht 2024 në orën 16:00, ose mund të dërgoni me shkrim ndonjë çështje shtesë për të cilën dëshironi ta vini në dijeni të Presidenten e që nuk keni arritur ta trajtoni në komunikimet e mëparshme. Në rast se konsideroni se ju duhen konsultime shtesë, ju lus të na njoftoni në mënyrë që ta caktojmë një kohë të përshtatshme brenda periudhës së përmendur më lart”, thuhet në letrën e Presidencës.

Partia në pushtet ende nuk e ka dhënë zyrtarisht preferencën e tyre se në cilën datë duan të mbahen zgjedhjet.

Por, për këtë temë më 5 gusht kishte folur deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi.

“Kryeministri kishte një takim të paracaktuar në datën e njëjtë, në bazë të Ligjit për zgjedhje, presidentja konsulton partitë politike dhe iu përket atyre të shprehin qëndrimet në takime. Konsultimet do të vazhdojnë sepse ka afat ende në këtë drejtim. Presidentja ka afat më shumë se një muaj për caktimin e zgjedhjeve. Prej 26 janarit deri më 16 shkurt, janë data e mundshme për zgjedhje e që nuk janë larg njëra tjetrës. Është e rëndësishme që të merren parasysh të gjitha specifikat në kuptimin e organizimit të një procesi zgjedhor të rregullt që garanton pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve. Besoj që në konsultimet që do të vazhdojnë do të jepet edhe qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje””, kishte thënë ai në një konferencë për media

Presidentja Vjosa Osmani të enjten, duke konfirmuar se partitë politike kanë kohë deri nesër të dërgojnë çështje shtesë që kanë për të caktuar datën e zgjedhjeve, ka thënë se kanë marrë përgjigje nga shumica e partive politike, duke shtuar se edhe VV-ja ka dërguar propozimin e saj për datën e zgjedhjeve.

“Unë s’po e bëj të ditur sot datën, megjithatë ju kemi dhënë partive kohë deri në fund të kësaj jave që nëse kanë ndonjë çështje shtesë që nuk e kanë ngritur atë ditë ta ngrisin ndërkohë”.

“Kemi marrë përgjigje nga shumica dërrmuese. Kemi kohë deri nesër në fund të orarit për të dëgjuar nëse kanë vlerësime shtesë dhe pasi përfundon orari nesër, ulemi dëgjojmë vlerësimet e kabinetit tim, të ekipës ligjore”.

“Të gjitha partitë i kanë ngritur çështjet e tyre, por në fund është diskrecion i institucionit të Presidencës për ta zgjedhur datën që ne e vlerësojmë që është me e përshtatshme, të them sinqerisht nuk ka dallime një javë më shumë, një javë me pak, besoj që nuk bën diferencë të madhe. Po, ne i kemi njoftuar publikun para dy ditësh që kryetari i VV-së, njëkohësisht kryeministri, më ka njoftuar me shkrim në lidhje me datën e preferuar të VV”, ka thënë ajo

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy