Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, është arratisur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve në vend. MPB-ja pas arratisjes ka dorëzuar fletarrest qendror.
“Autoriteti gjyqësor kompetent ka dorëzuar dokumentacion në Ministrinë e Punëve të Brendshme për dhënien e fletarrestit qendror për personin B.R. pasi aktualisht është i padisponueshëm për forcat e rendit. MPB po ndërmerr masa për gjetjen e personit”, konfirmuan për MIA-në nga MPB.
Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Serbia, më 17 korrik 2024 u arrestua në pikën kufitare të Jazhicës dhe u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani, si ish-ushtar i UÇK-së, ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Pajazit Pajaziti nga Gjykata Penale në Shkup, e kishte zhvendosur Ramadanin nga paraburgimi në burg shtëpiak në adresën e familjarëve/shokëve të Ramadanit
Pas ankesës së Prokurorisë, dje tre gjyqtarë nga Këshilli Penal kanë vendosur masën e paraburgimit efektiv për 30 ditë për shkak rrezikut për arratisje. Dikush nga Këshilli Penal e ka njoftuar Ramadanin se do të kthehet në burgun e Shutkës, dhe ky ka ikur.
Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik, kërkoi nga autoritetet e Shkupit ekstradimin e Ramadanit në Serbi. Çështja e ekstradimit të tij u ngrit edhe gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Shkup më 31 korrik. Sveçlj tha se Shkupi duhet të vendosë në mënyrë të pavarur, duke akuzuar Serbinë se tenton të prishë marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës njoftoi se Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për mosekstradimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, pasi më 1 gusht ishte zhvendosur që ai të kalon nga paraburgimi në arrest shtëpiak
Ramadani, sipas mediave kosovare, është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut me urdhër të Serbisë. Gafur Dugoli dhe Tomor Morina janë arrestuar edhe në të kaluarën, por me vendim gjykate janë liruar. /Portalb