Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së ka reaguar lidhur me vendimin që e ka marrë sot Presidentja Osmani për datën e Zgjedhjeve. Ai ka lënë të kuptohet se vendimi i Presidentës nuk është më i miri, shtyerja është e panevojshme por gjithsesi, pajtohet.
Në postimin e tij në facebook, z.Krasniqi ka promovuar kandidatin e partisë që ai drejton duke thënë se me Bedri Hamzën në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë.
Postimi i plotë:
Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit rë ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit.
Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën.
Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë.