Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka kërkuar shpërbërjen e Kuvendit të komunës që ai drejton. Siç ka thënë Lladrovci, Kuvendi Komunal që 71 ditë është jashtë funksionit.
“Në shkresë, drejtuar edhe institucioneve relevante, kam evidentuar se Kuvendi i Komunës së Drenasit, është pa Kryesues të Kuvendit, pasi që 16 asamblistë, prej tyre 6 asamblistë të DD, 5 ish asamblistë të PDK, 4 të VV-së dhe një asamblist i Green, më 6.6.2024, kanë shkarkuar Kryesuesin, Milaim Hajdari”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Të shpërbëhet Kuvendi i Drenasit, t’i kthehet mandati qytetarit me zgjedhje të reja
Qytetarë të dashur, sot kam kërkuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që ta njoftojë Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e Kuvendit të Komunës së Drenasit sot e 71 ditë.
Për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit, është në mandatin e Qeverisë ta shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe legjitimiteti të kthehet te qytetari.
Kam konstatuar se me mosfunksionimin e Kuvendit, është rrezikuar buxheti i Komunës, bartjet e mjeteve buxhetore për realizimin e shumë projekteve kapitale, rrjedhimisht papërgjegjshmëria e Kuvendit po rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të komunës së Drenasit.
Në shkresë, drejtuar edhe institucioneve relevante, kam evidentuar se Kuvendi i Komunës së Drenasit, është pa Kryesues të Kuvendit, pasi që 16 asamblistë, prej tyre 6 asamblistë të DD, 5 ish asamblistë të PDK, 4 të Vv dhe një asamblist i Green, më 6.6.2024, kanë shkarkuar Kryesuesin, Milaim Hajdari.
Kam kontestuar vlefshmërinë e votës së asamblistit Drin Halilaj, votë e cila ishte vendimtare për shkarkimin e Kryesuesit. Halilaj, pasi u punësua në Ministrinë e Mbrojtjes, nuk e ka pezulluar pozitën në atë Ministri dhe ka mbajtur të dyja pozitat njëkohësisht. Ministritë përkatëse kanë mbyllur sytë për këtë çështje dhe nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Nga ajo datë, iniciuesit e shkarkimit të Kryesuesit, nuk kanë tentuar që të zgjedhin kryesuesin e ri. Kuvendi i Komunës së Drenasit është jo funksionues dhe rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve të saj.
Kanë kaluar 71 ditë, pa u mbajtur asnjë mbledhje e Kuvendit, ndërsa kanë kaluar 43 ditë nga kthimi i ligjshmërisë së vendimit nga MAPL për shkarkim të Kryesuesit të Kuvendit dhe asnjë veprim nuk është ndërmarr nga Kuvendi për zgjedhje të Kryesuesit.
Në përputhje me nenin 50, paragrafi 50.3, të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale dhe nenit 37.11 të Statutit të Komunës së Drenasit, nr. 01-110-6904, pres që MAPL ta njoftojë Qeverinë për mosfunksionimin e Kuvendit, në mënyrë që Qeveria të shpërndajë Kuvendin e Komunës së Drenasit dhe të shpallen zgjedhje për Kuvend të ri.
Pengimi i punës së ekzekutivit të komunës së Drenasit, pres të marrë fund, njëherësh, qytetarët të zgjedhin përbërje tjetër kuvendore që angazhohen për zhvillimin e komunës së Drenasit dhe përfaqësojnë realisht interesin qytetar.