Ka disa muaj që ndërkombëtarët po përpiqen t’ia mbushin mendjen kryeministrit Albin Kurti që ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të mos hapet në këtë kohë.
Qeveria e Kosovës po përsërit vazhdimisht se ura do të hapet, ndërsa ndërkombëtarët paralajmërojnë “rrezik të njëmendtë” për “dhunë dhe probleme tjera”.
Nuk dihet nëse Qeveria është bindur që të mos ndërmarrë veprime tjera pas konstatimit se ura është “stabile, e qëndrueshme dhe funksionale”.
Kryeministri Albin Kurti pas mbledhjes së Qeverisë më 14 gusht nuk paralajmëroi veprime për hapjen e saj. Tha se konsultimet dhe koordinimi me partnerët do të vazhdojnë
Ky qëndrim erdhi një ditë pasi diplomatët dhe ushtarakët ndërkombëtarë në Kosovë dhanë paralajmërime të qarta.
Gazeta Express merr vesh se porosia për autoritetet e Kosovës ka qenë e qartë. Në rast të trazirave mbi urën e Ibrit, ushtarët amerikanë do të ishin reaguesit e parë. Bëhet fjalë për ushtarë amerikanë të vendosur në Kampin Nothing Hill në Leposaviq. Atje janë të stacionuar pjesëtarë të gardës nacionale nga shteti amerikan i Georgia’s. Duke pasur parasysh se ky shtet është një swing state (mbështetje e barabartë për dy partitë që garojnë në zgjedhjet presidenciale), çdo përfshirje e ushtarëve në trazira eventuale në veriun e Kosovës do të mund të kishte implikime në procesin zgjedhor në SHBA.
Se kjo porosi u është dërguar autoriteteve kosovare është konfirmuar nga disa burime për Gazetën Express.
Ambasadori amerikan në në Kosovë Jeffrey Hovenier tha të martën që shkoi se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që tha se mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha Hovenier në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se shpresojnë që “Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano e ka paralajmëruar Kosovën se rrezikon të mbetet “e vetme dhe mbrapa” nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët.
“Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës [BE, SHBA, NATO dhe Mbrëtëria e Bashkuar] kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano të premten.
Kurti të martën e priti në takim komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, të cilin tha se e njoftoi “mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës”. Kryeministri, siç u tha në komunikatën e lëshuar nga zyra e tij pas takimit, ia përmendi gjeneral-majorit “hapat e nevojshëm,”, që po i ndërmerr Qeveria “për hapjen e urës”.
Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka angazhuar një kompani, të cilës ia ka dhënë një kontratë 9 mijë e 640 euroshe për t’ia bërë një test urës që të përcaktohet kapaciteti mbajtës i strukturës së saj, para se ajo të hapet për qarkullim të automjeteve. Testi është kryer dhe rezultatet kanë dalë.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka paralajmëruar se nuk do të hezitojnë të përballet me çfarëdo zhvillimi që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal.
“Ne nuk do të hezitojmë të përballemi me asnjë zhvillim që mund të ndikojë në ambientin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, duke respektuar plotësisht mandatin tonë që buron nga OKB-ja. Qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konstant gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të bëhet përbrenda kornizës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë KFOR-i në një komunikatë për media më 6 gusht.
Të gjitha vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë bërë të ditur se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Ambasadorët e këtyre vendeve, në fillim të muajit ishin në Qeveri për një takim me Kurtin.
Kurti përfaqësuesve diplomatikë të QUINT-it ua kishte paraqitur një planin për hapjen e urës më 2 gusht.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë”, u tha edhe në një komunikatë për media që e Zyra e Kurtit e lëshoi edhe pas atij takimi.
Po ashtu javën që po lëmë pas, Ura shkaktoi reagime e kundër reagime ndërmjet Prishtinës dhe Brukselit. Emisari Miroslav Lajçak duke iu përgjigjur Besnik Bislimit tha se nuk është e vërtetë që BE është kundër hapjes së Urës. Ai paralajmëroi se në takimin e radhës cështja e Urës së Ibrit do të jetë temë diskutimi. Zëdhënësi Stano tha se nuk bëhet fjalë për marrëveshje të re, por për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes ekzistuese. Paraprakisht, Bislimi akuzoi Brukselin se po e kërcënon Kosovës ndonëse vet kishte konkluduar se ura duhej të hapej