Pas arrestimit të një serbi nga Gorazhdeci, i cili në gjendje të dehur ka kënduar këngë me përmbajtje të nxitjes së urrejtjes ndëretnike, menjëherë ka pasuar propaganda e shërbëtorëve të regjimit në Beograd, që veprojnë në Kosovë, Listës Serbe.
Ata në një kumtesë për media pretendojnë se: “Arrestimi dhe caktimi i paraburgimit për serbin Lluka Zllatiçanin, nga Gorazhdeci, për shkak se “ka kënduar këngë” shkakton indinjatë tek serbët në mbarë Kosovën, veçanërisht për shkak se Policia e Kosovës nuk është aq efikase dhe profesionale për dhjetëra raportime kur sulmohen serbët, pronat e tyre apo të Kishës Ortodokse Serbe”.
“Regjimi i Albin Kurtit po bën gjithçka që serbët ta mbyllin gojën ose të zhduken nga këto zona dhe për këtë përdorin institucionet me të cilat menaxhojnë. Të njëjtat institucione që arrestojnë serbët për këngët e tyre ende nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjen se kush është përgjegjës për vrasjen brutale dhe plagosjen e fëmijëve serbë në Gorazhdec”, ka pretenduar Lista Serbe.
Ata kanë kërkuar që Zllataçanit t’i jepet e drejta për t’u mbrojtur nga liria dhe kërkon nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që t’u kushtojnë më shumë vëmendje, siç thekson, “akuzave të montuara politikisht”.
“Duke qenë se zoti Zllatiçanin është familjar, i cili asnjëherë nuk është larguar nga Gorazhdeci i tij, kërkojmë që menjëherë t’i jepet e drejta për t’u mbrojtur nga liria, sepse është e turpshme që ai të ndahet nga familja për shkak të këndimit të këngëve. Ne gjithashtu kërkojmë që përfaqësuesit ndërkombëtarë t’i kushtojnë më shumë vëmendje “akuzave të montuara politikisht”, veçanërisht pasi jemi në prag të zgjedhjeve dhe regjimi në Prishtinë, në mungesë të suksesit në çdo sferë të shoqërisë, do të kompensojë rejtingun e tij duke keqtrajtuar serbët.” përfundon kumtesa e Listë Serbe.