Brukseli e caktoi si temë të takimit të radhës, Kurti thotë se ka marrëveshje dhe plan se si duhet hapur Ura e Ibrit

by Nexhat

Bashkimi Europian ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të mos vazhdojë veprimet e saj për hapjen e Urës së Ibrit sikurse edhe aleatët tjerë të Kosovës që janë në QUINT. Këtë temë të nxehtë të javëve të fundit, emisari Miroslav Lajcak tha se do ta nxjerrë në diskutimin në takimin e radhës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel kur të mbahet. Zëdhënës i BE’së Peter Stano tha se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të re, por diskutim për modalitetet. Mbrëmë, nga Cikago Kryeministri Kurti la pak gjasa se mund të ketë bisedime për Urën. Ai theksoi se ka marrëveshje dhe plan se si duhet hapur ura gjatë bisedimeve në të kaluarën.

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur Bashkimit Europian disa ditë pasi ata theksuan se do ta shtrojnë çështjen e hapjes së Urës së Ibrit në tryezën e bisedimeve me Kosovën dhe Serbinë.

banner

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, më 14 gusht shkroi se si të zbatohet marrëveshja për hapjen e urës “do të diskutojmë në takimin e ardhshëm në Bruksel”.

Ai tha se BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës duhet të diskutohet në dialogun e lehtësuar nga blloku.

“Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë mashtruese. Imponimi i një vendimi kundër vullnetit të qytetarëve të prekur nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve. Qeverisja e mirë kupton ndjeshmërinë ndaj pakicës”, kishte shkruar ai.

Në një intervistë nga Shtetet e Bashkuara, kryeministri Kurti për Zërin e Amerikës ia ktheu përgjigjen Bashkimit Europian se nuk ka gatishmëri ta diskutojë këtë çështje në dialogun e lehtësuar nga BE. Kurti tha se ridiskutimi i marrëveshjes së dakorduar është shkelje e saj.

Kurti tha se në Bruksel është dakorduar marrëveshja dhe plani për hapjen e Urës së Ibrit dhe se afati për këtë ka qenë 20 janari i vitit 2017.

“Diskutimet në Bruksel janë zhvilluar në vitet 2014-2017 dhe ato kanë përfunduar jo vetëm me marrëveshje për hapjen e urës, por njëkohësisht edhe me marrëveshje për një plan të zbatimit se si do të duhej të hapej ura. Afati i fundit ka qenë 20 janari i vitit 2017. Nëse është bërë një marrëveshje dhe bëhet diskutim mbi marrëveshjen kjo është një mënyrë indirekte e shkeljes së marrëveshjes. Ne nuk jemi të gatshëm që të marrim pjesë në shkelje të marrëveshjes dhe liria e lëvizjes mbi lumin Ibër, në urën kryesore në Mitrovicë, nuk do të duhej që të rinegociohej” ka theksuar ai

Pastaj ai bërë një elaborim për godinën që lidh dy anët e Ibrit, që u shkëput si ‘highlight” nga Vetëvendosje në faqen e saj.

“Ura është tejkalim, është tejkalim i lumit. Nuk mund të kemi tejkalim të urës, sepse shpeshherë ka pasur sugjerime që mjaftojnë urat e tjera. Nuk mund t’i bëjmë urën, urës. Ura ia bën urën lumit Ibër për të mirën e qytetarëve dhe për këtë insistojmë ne” tha Kurti.

Në çështjen e hapjes së Urës u përfshi edhe shefja e shtetit Vjosa Osmani.

Ajo në një intervistë për REL dje e cilësoi si “tepër të rrezikshme” rihapjen e kësaj teme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa me vete kishte marrë pjesë të marrëveshjeve Kosovë-Serbi mbi këtë “çështje të mbyllur”.

“Ne kemi marrëveshje të dialogut të cilat janë arritur nga viti 2014 e tutje dhe janë tri më saktësisht. E para, që konstaton rolin e BE-së në rivitalizimin dhe rindërtimin e urës, të cilat kanë përfunduar. E dyta, e cila qartë në nenin 2 sqaron se ura duhet të hapet deri në qershor 2016 dhe pastaj është plani i zbatimit të marrëveshjes”.

Osmani tha se meqë ka role për disa në këtë çështje , përfshirë EULEX-in e KFOR-in, bashkëpunim duhet të ketë brenda Kosovës me partnerët që janë në Kosovë, por ajo tha se asnjë rol i vetëm këtu nuk parashihet me Serbinë

“Kjo çështje është mbyllur. Në asnjë fjali nuk thuhet që diskutimet rreth zbatimit të marrëveshjeve do të vazhdojnë në Bruksel dhe rrjedhimisht unë konsideroj që është tepër e rrezikshme të rihapet diskutimi i kësaj çështje me Aleksandar Vuçiq në Bruksel dhe nuk e përkrah, është në dëm të Kosovës. Megjithatë, nëse dëshirojmë që kjo çështje të bëhet mirë dhe si duhet dhe afatgjatë dhe e qëndrueshme duhet të bëjmë së bashku me partnerët”.

Osmani tha se për hapjen e urës “menjëherë” duhet të ndodhë dialogu me partnerët e sigurisë në terren.

“Qysh më 1 gusht unë jam deklaruar qartë se përderisa në asnjë mënyrë nuk mund të ketë negociata me Serbinë lidhur me këtë çështje është e domosdoshme që dialogu ynë me partnerët tanë, sidomos partnerët e sigurisë që janë në terren, pra NATO, të ndodhë menjëherë sepse kjo çështje është e domosdoshme”.

Për një datë të mundshme për takimin e ardhshëm që e përmendi Lajçaku, ku eventualisht do të diskutohej ura, sot është pyetur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai tha se nuk ka një datë të tillë, por përsëriti se Kosova do të bënte mirë që t’i dëgjonte kërkesat e partnerëve të saj.

“Nuk ka asgjë të re për të shtuar, vetëm ritheksoj që po, ka diskutime dhe ndërveprime që po vazhdojnë lidhur me këtë çështje, në linjë me qëndrimin e BE-së që veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara duhet të shmangen dhe që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Ky është pikëvështrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës”.

Stano të premten në një përgjigje e kishte specifikuar se çka do të diskutohej në një takim në Bruksel.

“Të trajtosh çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të thotë të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshjet e reja. Njeriu me të vërtetë duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy