Në zgjedhjet e pranverës kryetarët e partive nuk do të kenë më privilegjin të kandidojnë në më shumë se një qark njëkohësisht.
Marrëveshja politike për reformën zgjedhore ka përfshirë edhe këtë ndryshim, i cili ka kaluar në heshtje nga dy partitë më të mëdha
Në zgjedhjet e shkuara, kjo e drejtë ekskluzive u shfrytëzua nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe krytarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Për të rritur votat, kryeministri kandidoi në Vlorë e në Durrës dhe në fund zgjodhi të ishte deputet i këtij të fundit, ndërsa në qytetin jugor mandati i kaloi një zonje.
Kryemadhi kandidoi në Elbasan e në Fier, por e lëshoi mandatin e Myzeqesë, duke futur në parlament dikë tjetër.
Heqja e këtij neni nga Kodi Zgjedhor është një lajm i keq për partitë e reja apo ato të vogla, të cilat mund ta kandidonin liderin në zona të ndryshme, për të përfituar nga imazhi i tij e për të grumbulluar mandate në disa qarqe.
Pa këtë të drejtë, partitë e reja të cilat kanë të njohur e të fuqishëm vetëm liderin, dhe jo anëtarët e tjerë të skuadrës, do të jetë e vështirë fitorja e mandateve në ato zona ku nuk kandidon kryetari.
Kjo taktikë që ju jepte një avantazh kryetarëve të partive të fitonin mandate në disa qarqe rresht e pastaj t’i braktisnin për të futur në Kuvend mbështetës të tjerë të tyre, që nuk kishin fituar drejtpërdrejt, u kritikua nga OSBE-ODIHR.
PS dhe PD e kanë shfuqizuar këtë nen, e zor të kuptohet nëse u shqetësuan nga rekomandimet e ndërkombëtarëve apo nga shanset që kjo formulë mund tu jepte partive të reja