Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajazitin, të cilin e ka uruar për marrjen e detyrës.
Rama ka bërë me dije se kryeqyteti do ta mbështes Komunën e Bujanocit me krijimin e inkubatorëve të biznesit për teknologji informative dhe të komunikimit, derisa shtoi se u dakorduan që takimin e radhës ta mbajnë në Bujanoc
Ai ka thënë se është obligim që t’i mbështesim shqiptarët atje.
“Është jo vetëm kënaqësi por edhe obligim i yni që të mbështesim shqiptarët atje. Këtë do të bëjmë jo vetëm përmes shkëmbimit të përvojave por duke gjetur mundësi për financimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Bujanocit. U dakorduam që takimin e radhës t’a mbajmë në Bujanoc”, ka shkruar Rama.
Ndryshe, para disa javësh, Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kanë pritur në takim Kryetaren e Preshevës, Ardita Sinanin.