Analistë, zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë në Bosnje e Hercegovinë e shohin vizitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) në këtë vend dhe në Serbi si përgjigje ndaj sfidave që paraqet ndikimi i Kremlinit në rajon, si dhe ndaj aspiratave secesioniste të politikanëve prorusë në Republikën Sërpska.
Margarita Assenova, bashkëpunëtore e lartë në Fondacionin Jamestown në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia “ka kohë që po shkakton probleme në Bosnje e Hercegovinë” dhe se një gjë e tillë është bërë “më e dukshme dhe më e rrezikshme”.
Ajo theksoi se vizita e shefit të CIA-s, William Burns i dërgon një mesazh të qartë Serbisë: “Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë veprimet e saj.”
“Vizita e Burnsit është një mesazh shumë i mirë për Serbinë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i tolerojnë veprimet e saj.” – ka thënë Assenova.