Policia e Kosovës, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, ka zhvilluar të mërkurën një aksion, që rezultoi me arrestimin e një zyrtari i cili dyshohet se është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.
Personi që ra në prangat e Policisë është zyrtar i Komunës së Gjakovës, i dyshuar për korrupsion.
Arrestimit të tij i ka paraprirë një hetim që filloi nën dyshimet se zyrtari komunal ka keqpërdorur detyrën dhe ka gisht në një rast të korrupsionit.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se zyrtari i gjendjes civile që dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti” është Qazim Ibrahimi.
Bazuar në informacionet e para, një qytetar ka denoncuar në Polici se zyrtari Ibrahimi ia ka marrë rreth 200 euro, për t’ia rregulluar disa dokumente.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Sot, 21.08.2024, hetuesit policorë nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Gjakovë, është arrestuar një i dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘Marrje ryshfeti’. Rasti është trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë, me aktvendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”