Mirlind Daku nuk di të ndalet, vijon formën e tij të shkëlqyer duke gjetur rrugën e rrjetës në çdo ndeshje.
“Bomberi” kuqezi është shndërruar në lider absolut tek ekipi i tij Rubin Kazan, këtë e dëshmoi sërish duke marrë përsipër ekzekutimin e një tjetër 11-metërshi. Daku u tregua perfekt duke e dërguar topin në trekëndësh.
Goli i Daku i hapi rrugën suksesit të pastër 2-0 që Rubin arriti në javën e 6-të në Rusi. Daku u zëvendësua në minutën e 87-të pasi prej disa kohësh po luan me injeksione.
Në 6 javë këtë sezon, sulmuesi kuqezi ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar dy assiste duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë në kampionat.
Forma shumë e mirë e Dakut është një lajm pozitiv për Sylvinho, por sulmuesi nuk do të jetë në dispozicion të Shqipërisë për ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve, atë kundër Ukrainës, pasi u dënua nga UEFA me 2 ndeshje pezullim në “Euro2024” për thirrje raciste.