Një pjesë e madhe e vendit u përfshi pasditen e të hënës nga moti i keq duke shkaktuar mjaft probleme.
Stuhia e shoqëruar me erë të fortë dhe breshër ka sjellë probleme në qarkullim në Tiranë, ka dëmtuar pemët dhe ka rrëzuar sende nga katet e larta të ndërtesave.
Probleme janë hasur dhe në juglindje të vendit, ku nga erërat e forta janë rrëzuar pemë të larta, për të cilat është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të liruar rrugën dhe për të mos penguar qarkullimin normal të mjeteve.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar edhe shkëputje për disa minuta të energjisë elektrike në fshatra të fushës së Maliqit kryesisht. Pas stuhisë, gjithçka është normalizuar për sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Në aksin Elbasan-Peqin, në fshatin Karinë, është shkëputur një pemë dukë rënë në njërën anë të rrugës. Menjëherë ka mbërritur policia rrugore që ka normalizuar lëvizjen e mjeteve.
Ndërkohë edhe në Elbasan ka pasur degë të thyera pemësh apo edhe përmbytje në rrugë kryesore.