Hidhet poshtë kërkesa e Shalës për të ndarë procesin gjyqësor nga Januzi dhe Bahtijari

by Nexhat

Është hedhur poshtë kërkesa e mbrojtjes së Haxhi Shalës për të veçuar çështjen e tij nga ajo e Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot më 27 gusht 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Sipas vendimit, mbrojtja e Shalës ka parashtruar se klienti i saj është duke u përballur me vonesa të panevojshme për kalimin e çështjes tek trupi gjykues. Ata kanë pretenduar se nëse Shala është i përfshirë në të njëjtin proces me Januzin dhe Bahtijarin, e drejta e tij për t’u gjykuar në një kohë të arsyeshme do të shkelet.

“Mbrojtja e Shalës argumenton se zoti Shala është dëmtuar nga vonesat e mëparshme në këtë rast, përfshirë si rezultat i shtimit të një akuze ndaj zotërinjve Januzi dhe Bahtijari”, thuhet në vendim

Në vendim, thuhet se mbrojtja e Shalës ka pretenduar se është e papranueshme që të vazhdohet të mbahet në paraburgim klienti i tyre për vonesa të vazhdueshme për të cilat ai nuk mban përgjegjësi dhe janë jashtë kontrollit të tij.

Në kërkesën e saj, mbrojtja e Shalës thotë se rasti i klientit të tyre duhet të ndahet në mënyrë që të dërgohet rasti më shpejtë për gjykim.

Ndërsa, ZPS-ja ka parashtruar se ndarja e rastit nuk do t’i përshpejtojë procedurat ndaj Shalës dhe se do të ndikojë në vonimin e njërit nga dy gjykimet e ndara e që si për pasojë mund të ketë edhe rrezikimin e të drejtave të të akuzuarve.

“ZPS gjithashtu paraqet se arsyet e fuqishme që çuan në bashkimin e aktakuzave mbeten të vlefshme dhe tërësisht kundër ndarjes”, thuhet në vendim.

Ndërsa, në përfundimet e këtij vendimi, thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake është e kënaqur se faza aktuale e procedurave është zhvilluar në kohë të arsyeshme.

“Përveç kësaj, gjyqtarja e procedurës paraprake konsideron se e drejta e zotit Shala për t’u gjykuar në një kohë të arsyeshme duhet të balancohet me nevojën për të siguruar administrimin e duhur të drejtësisë. Në këtë drejtim, gjyqtarja e procedurës paraprake gjen se konsideratat që çuan në bashkimin e Rastit 10 me Rastin 11 mbeten të vlefshme edhe sot. Gjyqtarja e procedurës paraprake së pari kujton se të akuzuarit janë të akuzuar për të njëjtat vepra të bazuara në të njëjtat ngjarje”, thuhet në vendim

Tutje, në vendim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka vënë në dukje se gjykimet e ndara do t’i dyfishonin dëshmitë pasi dëshmitarët do të duhej të dëshmonin në dy gjykime

“Gjyqtarja e procedurës paraprake gjithashtu vë në dukje se gjykimet e ndara do të rrisnin padyshim kohën dhe burimet gjyqësore. Gjyqtarja e procedurës paraprake vë në këtë drejtim se sallat e gjykatës së SC-së kanë disponueshmëri të kufizuar pasi ato duhet të ndahen me Panele të tjera”, thuhet në vendim, duke shtuar se ndarja e rasteve do të ndikonte ne kapacitetet e DhSK-së dhe se njëri nga gjyqet do të rrezikonte që të mosfillonte me muaj.

Si rezultat i këtyre konstatimeve, kërkesa e mbrojtjes së Haxhi Shalës është refuzuar.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy