Pasi u gjobitën nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkelje të privatësisë pasi faturat po shpërndaheshin duke ekspozuar të dhënat personale të konsumatorëve, KESCO ka thënë se po e i shpërndajnë faturat në zarf.
“KESCO po shpërndan faturat e energjisë elektrike te konsumatorëve të zarfuara, ashtu siç e parasheh edhe vendimi i fundit nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Ky projekt i cili ka filluar së implementuari si pilot projekt që nga Maji i këtij vitit në disa lokalitete në formë të pilot projektit, pastaj nga 22 Qershori i këtij viti pilot projekti u zgjerua në të gjitha distriktet në lokalite të caktuara, për të filluar me komlet konsumatorët në muajin gusht.”
Mirëpo, KESCO ka thënë se po hasin në vështirësi për ta implementuar këtë vendim në plotni dhe ka përmendur disa nga pengesat.
“Kjo formë e re e shpërndarjes së faturave pa dyshim që po has në shumë vështirësi për ta implementuar në plotni. Një nga pengesat kryesore, është mungesa e kutive postare, mungesa e adresave dhe numri identifikues i shtëpive apo objekteve banesore. Këto po e vështirësojnë tejmase procesin e dorëzimit të faturave. Futja në zarfe e të gjitha faturave, përpos pengesave në terren, po ngadalëson edhe komplet procesin e leximit dhe faturimit.
Kjo kompani ka bërë thirrje për alternativa tjera.
“Të gjitha këto rrethana e bëjnë të domosdoshme marrjen në konsideratë të ndonjë alternative tjetër, ku esencial do të ishte bashkëpunim ndërinstitucional që të gjendet zgjidhja sa më e mirë dhe sa më efikase, benefitet e të cilave do ti korrnin konsumatorët fundor.”