Një sëmundje e rrallë, por vdekjeprurëse e përhapur nga mushkonjat ka zhytur në panik një qytet në Massachusetts, duke e detyruar të mbyllë çdo mbrëmje fushat dhe parqet.
Katër qytete të tjera po u bëjnë thirrje njerëzve që të shmangin daljet jashtë gjatë orëve të natës. Sëmundja që ka ngjallur shqetësim mes autoriteteve shëndetësore e popullsisë lokale është Encefaliti lindor i kuajve.
Zyrtarët vendas të shëndetësisë njoftuan pak ditë më parë infektimin e një burri rreth të 80-ave, rasti i parë njerëzor i sëmundjes i regjistruar në Massachusetts që nga viti 2020.
Qyteti i Plymouth, rreth 64 kilometra në juglindje të Bostonit, njoftoi se do të mbyllë çdo ditë nga ora 6 e pasdites deri në pesë të mëngjesit objektet publike të pushimit pasi u zbuluan dhe disa kuaj të infektuar.
Banorët janë paralajmëruar të shmangin lëvizjet në orët e konsideruara si piku i pickimit të mushkonjave dhe t`i përfundojnë aktivitetet pa rënë muzgu.
Virusi që shkakton encefaliti lindor të kuajve përhapet përmes pickimit të një mushkonje të infektuar. Simptomat e para të EEE janë ethet, ngrirja e qafës, dhimbjet e kokës dhe mungesa e energjisë.
Këto simptoma shfaqen tre deri dhjetë ditë pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Ndërlikimi serioz më i rrezikshëm dhe i shpeshtë është inflamacioni dhe ënjtja e trurit, që quhet encefalit.
Sëmundja rëndohet me të shpejtë dhe disa pacientë mund të bien në gjendje kome brenda një jave.