Në Kosovë po shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, ndërkohë që ende nuk është zbardhur fati i mbi 1590 personave, të cilët ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Ndërkaq, Ragip Gashi nga Fushë Kosova, ende nuk di asgjë për fatin e djalit të tij, Haki Gashi, i cili ishte marrë nga policia serbe në lagjen Dardania në Prishtinë.
“Thonë që e kanë marrë me veturë e për fatin e tij nuk dimë asgjë që nga 26 marsi i vitit 1999-të, tha Ragip Gashi”.
Ragip Gashi nga Fushë Kosova në ankth pret të dijë për fatin e të birit, Hakiut, i cili ishte arrestuar nga polica serbe me 26 mars të vitit 1999-të. Ragip Gashi thotë se tre të rinj të familjes së tij i kishin gjetur të vrarë në gërmimet në Dragodan, por djali Hakiu nuk ishte në mesin e tyre. E Sherifja, bashkëshortja e Hakiut, thotë se nga vuajtja ajo nuk fle gjumë natën.
“ Qysh kam me jetuar, kurrë gjumi nuk më merr prej mërzisë!”, tha ajo
Ndërkaq, Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, thotë se për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur për çdo bllokadë dhe pengesë adresa është në Beograd.
“ Këto 25 vite në mënyrë të veçantë për më shumë rezultate në këtë proces adresa mbetet te Serbia, përkatësisht Beogradi zyrtar dhe institucionet përgjegjëse të cilat këto 25 vite vazhdojnë ta sfidojnë procesin me një politizim të skajshëm”, tha ai.
Gara sqaron se përkundër deklaratës së 2 majit të vitit të kaluar për çështjen e personave të zhdukur, si rezultat i dialogut në Bruksel, janë dhënë zotime nga delegacioni serb që të mundësohet qasje në arkivat e Brigadës së 37 të Motorizuar të ushtrisë Jugosllave, por një gjë e tillë nuk është zbatuar.
“Kemi insistuar pikërisht në këtë brigadë, sepse të dhënat e Brigadës 37 janë klasifikuar nga Qeveria e Vuqiçit në vitin 2014. Pikërisht kur ishim të angazhuar në zhvarrosjen e viktimave të varrezën masive të Rudnicës”, tha Gara.
Ndryshe procesi i gërmimeve vlerësuese ka vazhduar në 13 lokacione në Republikën e Kosovës, ku shtatë prej tyre kanë rezultuar me gjetje. Ndërkaq sfidë mbesin lokacionet në Serbi, por që gjatë kësaj jave, me 27 gusht kanë filluar përgatitjet e terrenit në lokacionin Kozhlja në mes Novi Pazarit dhe Tutinit. Gara tha se kanë bërë kërkesë që edhe njëherë të kthehen në lokacionet Batajnicë, Petrovo Selo dhe Peruqac.