Shumica e Venezuelës u zgjua sot pa energji elektrike teksa autoritetet pretendonin se sabotatorë kishin shënjestruar rrjetin kombëtar të energjisë elektrike.
Ministri i komunikimeve Freddy Nanez tha sot në rrjetin shtetëror VTV se ndërprerja nisi në orën 4:40 të mëngjesit “thuajse në të gjithë territorin kombëtar” – duke përfshirë dhe kryeqytetin Caracas.
“Jemi viktima, përsëri të një sabotazhi në rrjetin elektrik,” tha Nanez, pa dhënë më shumë detaje, duke shtuar se autoritetet po punojnë për kthimin e shërbimit.
“E gjithë qeveria po punon për të tejkaluar këtë agresion të ri”, shtoi ai.
Ndërprerjet e energjisë elektrike ndodhin rregullisht në Venezuele, por janë kryesisht në zona lokale.
Gjatë trazirave politike në 2019, Venezuela kishte ndërprerje të shpeshta të energjisë që fajësoheshin te sabotatorë apo kundërshtarët politikë të qeverisë Nicolas Maduro.
Së fundmi ekspertët e energjisë thonin se ndërprerjet mund të jenë rezultat i zjarreve pyjore që mund të kenë dëmtuar linjat e transmetimit, ose si rezultat i mosmirëmbajtjes së infrastrukturës hidro-elektrike të vendit.
Ndërprerjet koinçidonin me protesta anti-qeveritare të pritura nesër, ku kritikët e Maduro kërkojnë të mobilizojnë opozicionin një muaj pas zgjedhjeve të fundit.
“Keto sabotime janë një strategji e opozitës dhe e armiqve të vendit, për të impresionuar popullatën”, tha ministri i ri i brendshëm i Maduro, Diosdado Cabello, i konsideruar si njeriu i dytë më i fuqishëm në vend.