Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të shtunën se veprimet për shtirje të sovranitetit në Kosovë, janë veprime legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por që suksesi dhe qëndrueshmëria e tyre varen prej bashkëpunimit me aleatët.
Ajo i ka bërë këto deklarata për Radion Evropa e Lirë, pasi është pyetur rreth reagimeve të Perëndimit më 30 gusht, pas mbylljes së pesë objekteve paralele në veri të Kosovës. Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë dhe kanë cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, siç ka thënë ai, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.
Për aksionin në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.
“Situata në veri të Kosovës është shumë sfiduese, sepse përkundur Marrëveshjes së vitit 2013, e cila kërkon që të gjitha strukturat ilegale të shpërbëhen, ato janë forcuar nga [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiq në këtë dekadë, dhe janë shndërruar në grupe mafioze, të cilat edhe sfidojnë sigurinë, edhe sovranitetin, por edhe vetë jetën e qytetarëve që jetojnë në veriun e veriut”, ka thënë Osmani në Pragë, ku po merr pjesë në forumin e sigurisë Globsec.
Ajo ka bërë thirrje që të mos lejohet “asnjë forcë e errët, asnjë shtet që ka qëllime dashakëqija ndaj Kosovës dhe rajonit, të krijojë ndarje mes neve dhe aleatëve”.
“Kjo ndarje, në afatgjatë, Kosovës i kushton shumë. Kosova ka mundësi që të jetë e suksesshme në shtirje të sovranitetit, bashkë me aleatët. Kërkohet më shumë komunikim, më shumë konsultim, më shumë koordinim”.
E pyetur nëse zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë shefin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) e kanë përmendur nëpër takimet e ditëve të fundit përkeqësimin e marrëdhënieve me Qeverinë e Kosovës, ajo ka thënë se SHBA-ja ka qenë e qartë në çdo nivel se raportet me popullin e Kosovës, me Kosovën si shtet, i ka shumë të fuqishme.
“Ne duhet të gjejmë mënyra për ta forcuar partneritetin, ne duhet të gjejmë mënyra që debati në Kosovë të mos jetë asnjëherë se ‘a jemi prishur me Amerikën apo jo?’, por të jetë sa jemi duke i forcuar ato marrëdhënie, sepse është vetëm në interes të Kosovës”.
Ajo ka thënë se do të takohet në kuadër të Globsec-ut me zyrtarë amerikanë për t’i diskutuar të gjitha sfidat aktuale.
Osmani nuk ka dashur të komentojë pse të shtunën, më 31 gusht, është vërejtur një prani e shtuar e forcave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.
Presidentja ka thënë se për këtë gjë duhet pyetur KFOR-i, por as ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
Më vonë gjatë së shtunës, prania e këtij misoni në urën mbi Ibër është reduktuar.
Osmani e ka përmendur çështjen e urës kur është pyetur se si mund të gjendet mesi i artë mes veprimeve të Qeverisë dhe kërkesave të Perëndimit.
“Mesi është mirëkuptimi i të gjithëve që ka tema të cilat assesi nuk duhet të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë, sepse ato qoftë kanë përfunduar si të tilla, sepse janë arritur marrëveshje, plane të zbatimit, siç është çështja e urës, çështja e shpërbërjes së strukturave ilegale, ato janë mbyllur më vitin 2013, dhe ka tema të cilat as nuk është në interes të Kosovës, sepse do të ishte shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës, në qoftë se ato do të hapeshin për negociata me një shtet tjetër, në këtë rast me Serbinë. Në anën tjetër, ne duhet ta kemi të qartë që një prej fuqive më të mëdha të Kosovës, një prej përparësive më të mëdha të Kosovës ndër vite është që aleatët i ka pasur në anën e saj”.
Perëndimi i ka shtuar së fundmi kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës, për ato që i konsideron veprime të njëanshme.
Në mesin e tyre përfshihet edhe përpjekja e Qeverisë së Kosovës në fillim të gushtit për hapje të urës kryesore mbi lumin Ibër,, e cila ndan Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare me Mitrovicën Veriore me shumicë serbe.
Ura është e hapur për qarkullim të këmbësorëve, por jo për automjete.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pati paralajmëruar ato ditë kundër hapjes së urës, duke thënë se një veprim i tillë rrezikon ushtarët amerikanë.
Edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili ka prezencë të përhershme mbi urë, pati thënë se nuk do të hezitojë të veprojë, nëse rrezikohet siguria në atë pjesë.