Manchester City pritet që ta lejojë largimin e një lojtari nga klubi ndonëse afati kalimtar veror ka përfunduar.
‘Qytetarët’ kanë për synim që ta fitojnë për herë të pestë titullin në Ligën Premier këtë sezon, por ata nuk e kanë parë të nevojshme që të jenë aktiv gjatë afatit kalimtar veror
Pep Guardiola u përforcua me dy lojtarë duke transferuar sulmuesin Brazilian Savinho dhe mesfushorin Ilkay Gundogan, ky i fundit i cili u rikthye në klub 12 muaj pas largimit
Më shumë se transferime kishte largime, pasi Julian Alvarez, Sergio Gomez, Joao Cancelo, Tommy Doyle dhe Taylor Harwood-Bells që të gjithë u shitën, ndërsa Yan Cuoto, Issa Kabore, Kalvin Phillips dhe Maximo Perrone u larguan në huazim.
Krahas faktit se afati kalimtar në Angli ka përfunduar të premten e 30 gushtit, City pritet që ta lejojë largimin e një lojtari të talentuar.
Sipas The Athletic, City ka arritur marrëveshje me PSV Eindhoven për huazimin e 18-vjeçarit të akademisë Joel Ndala.
Sulmuesi i talentuar kishte tërhequr interesim edhe nga gjiganti evropian AC Milan, por ai do t’i bashkohet PSV-së në formë huazimi.
City janë në gjendje që të huazojnë Ndalan pasi afati kalimtar në Holandë nuk mbyllet deri sot (e hënë) në mbrëmje.
Marrëveshja përfshin blerjen e obliguar të kartonit të lojtarit, që do të thotë se PSV do të nënshkruajë me Ndalan nëse arrihen kritere të caktuara sa i përket performancës së tij.
Çmimi fillestar pritet të jetë rreth 7 milionë euro, por mund të rritet deri në 10 milionë.