Kosova ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve me entuziazëm dhe përkushtim të madh.
Dardanët u rikthyen në kampin stërvitor me synime të qarta për një rrugëtim të suksesshëm në këtë edicion, ku gjithçka nis ne përballje me Rumaninë
Në seancën e parë stërvitore, përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion 15 futbollistë, ndërsa lojtarët që zhvilluan ndeshje me klubet e tyre të dielën, u përqendruan në rigjenerimin në palestër.
Atmosfera në kampin dardan ishte jashtëzakonisht pozitive, e cila u theksua edhe më shumë me ardhjet e reja në skuadër si Elvis Rexhbeçaj, Fisnik Asllani dhe Eliot Bujupi, si dhe me rikthimin e Emir Sahitit pas një kohe të gjatë.
Stërvitja e parë u karakterizua pa ndonjë ngarkesë të madhe, me përzgjedhësin Foda që u fokusua në dhënien e udhëzimeve për strategjinë dhe taktikat që synon të zbatojë në fushë.
Para fillimit të stërvitjes, skuadra kreu edhe analizën e ndeshjes së fundit kundër Norvegjisë, për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për të përmirësuar performancën e ekipit në ndeshjet e radhës.
.