Autoritetet e Shteteve të Bashkuara kanë sekuestruar një aeroplan që përdorej nga presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro. Aeroplani u transferua nga Republika Domenikane në Florida, pasi u përcaktua se blerja e tij kishte shkelur sanksionet amerikane, njoftoi të hënën Departamenti i Drejtësisë.
Ky sekuestrim vjen në një kohë kur presioni mbi Maduron po intensifikohet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, në lidhje me zgjedhjet e 28 korrikut, që ai pretendon se ka fituar. Megjithatë, opozita venezuelase pretendon se kandidati i saj ishte fituesi i vërtetë i zgjedhjeve
Presidenti Maduro, bashkëpunëtorët e tij, dhe sektori i naftës në vend janë subjekt i sanksioneve amerikane. Menaxhimi i tij i zgjedhjeve ka ngritur shqetësime se mund të vendosen sanksione të tjera.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, tha se aeroplani, ‘Dassault Falcon 900EX’ ishte blerë në mënyrë të paligjshme për 13 milionë dollarë përmes një kompanie guaskë dhe ishte kontrabanduar nga territori amerikan “për përdorim nga Nicolas Maduro dhe aleatët e tij.”
“Ky sekuestrim jep një mesazh të qartë: aeroplanët e blerë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara për përfitim të zyrtarëve të sanksionuar venezuelas, nuk do të tolerohen”, tha Matthew Axelrod, Ndihmës Sekretari amerikan i Departamentit të Tregtisë për Zbatimin e Eksportit