Inteligjenca turke (MIT) ka arrestuar shtetasin kosovar, Liridon Rexhepi, nën dyshimin se ka punuar për rrjetin e inteligjencës izraelite, Mossad.
Arrestimi i tij është realizuar nga inteligjenca turke në kuadër të një operacioni të fshehtë. Sipas mediave turke Organizata Kombëtare e Inteligjencës përcaktoi se Rexhepi ishte personi që menaxhonte rrjetin financiar të MOSSAD në Turqi
Për këtë rast sot është pyetur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, .
Ajo tha se institucionet turke iu kanë dërguar pyetje me shkrim për këtë rast, për të cilin Haxhiu tha se është i ndjeshëm dhe mund të ndajnë me publikun aq sa mundën në çështje të tilla.
“Ministria e Drejtësisë ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Turqinë. Sigurisht që në të kaluarën, e dini rastin e dëbimeve të qytetarëve turq që kanë banuar në Kosovë, e dini problemin që ka ekzistuar në atë kohë, por në përgjithësi bashkëpunimi juridik me Turqinë është shumë i mirë. Ne trajtojmë kërkesa që janë në përputhje me vendimet e gjykatave dhe sipas legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjet të cilat ne i kemi. Në këtë drejtim, na kanë dërguar pyetje me shkrim për rastin në fjalë porsa hyra në këtë konferencë dhe për shkak të ndjeshmërisë së çështjes sepse në përgjithësi këto çështje janë të ndjeshme, sidomos kur jepet informacioni pa u kryer një veprim siç duhet. Unë kam kërkuar nga drejtori i departamentit që të më njoftojë vetëm për çështjet me të cilat mund të njoftohet publiku. Prandaj, me konsideratë kërkoj që sapo të përmbyllet kjo konferencë më lejoni që të përgjigjemi me shkrim në raport me çështjet të cilat lejohen. Pra, tashmë drejtori i departamentit po merret me këtë çështje”, tha Haxhiu.
Sipas mediave turke, Rexhepi u transferonte para agjentëve në terren në Turqi, të cilët kryenin xhirime me dronë, operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë dhe grumbullonin informacione për fushën siriane, nën udhëzimet e Shërbimit Informativ të Izraelit