Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njofton se sot janë mbledhur në Istog me të gjithë kryetarët e degëve të kësaj partie në Kosovë, në punëtorinë dyditore si përgatitje e plotë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai thekson se përgjatë këtyre dy ditëve do t’i shtrojnë të gjitha çështjet organizative të Lidhjes Demokratike, nga caktimi i shtabeve elektorale, te përcaktimi i vëzhguesve, komisionerëve e orarit të takimeve që nga tash e deri në fushatë.
“Lidhja po vjen e organizuar, e reformuar, e unifikuar dhe e gatshme për betejën përpara”, shkroi Abdixhiku.
Më tej ai vlerëson se ky nivel i organizimit pesë muaj më herët, tregon jo vetëm për vitalitetin e tyre organizativ, jo vetëm për unitetin e tyre partiak, por dhe për seriozitetin e paraprirjes për garën e ardhshme elektorale.
“Pas hartimit të programit politik nga nëntori i vitit të shkuar, organizimi ynë struktural bëhet ngjarja më e rëndësishme partiake. I tillë siç ka nisur, ai do të përcillet në nivel nacional tek 887 nëndegët tona në Kosovë e në Mërgatë nga tani deri në fushatë”, theksoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

