Esmerald Balla, 30-vjeçari që vrau me armë babanë e tij Enverin në Shënavlash të Durrësit ka thënë para policisë se e ka kryer vrasjen në gjaknxehtësi.
Pasi u vendos para fakteve, 30 vjeçari pranoi krimin dhe tha se kishte vepruar në gjaknxehtësi, pasi zbuloi se babai për shkak të marrëdhënieve që kishte me gra jashtë martese kishte prishur kursimet e shtëpisë
Nga ana tjetër, policia nga këqyrja e aparateve celular të autorit ka zbuluar se ai ka pasur kontakte me faqe eskortash që ofrojnë marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës.
Sipas informacioneve, kthesë për hetimin bëri kasaforta e thyer që u gjet jashtë banesës ku jetonte viktima me bashkëshorten e tij ( njerkën e autorit pasi nëna i kishte vdekur vite më parë) si dhe autori me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur.
Kasaforta e thyer dhe mungesa e kursimeve të familjes orientoi policinë drejt një krimi të mundshëm në familje.
Dyshimet u vërtetuan kur u zbulua se mesazhi i dërguar djalit në emigracion ku i shkruhej se babai kishte nisur jetë të re me një grua dhe të mos e kërkonin ishte dërguar nga vetë 30 vjeçari Esmerald Balla nga një adrese false që ai kishte hapur pikërisht për këtë qellim.
Dinamika e krimit horror në Shënavlash të Durrësit
Esmerald Balla, 30 vjeç, banues në fshatin Shënavlash ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij ishte larguar nga banesa me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Gjithashtu, djali ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.
Djali tjetër i Enver Ballës, shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.
Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit konkretisht shtetasi Esmerald Balla, 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.
30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është kofliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë me armë zjarri tip pistoletë.
Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor ka gjetur trupin e shtetasit E .B., dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.
Trupi i 62-vjeçarit u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit për ekzaminim mjeko-ligjor.
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.