Rusia të mërkurën e quajti “çmenduri absolute” një thirrje nga presidenti francez Emmanuel Macron për Serbinë për t’u bashkuar kundër Rusisë.
Macron kishte shkruar muajin e kaluar një artikull në gazetën serbe “Politika”, i cili u botua përpara vizitës së tij në Beograd.
Duke folur në një konferencë shtypi në Vladivostok, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova kritikoi gazetën serbe për botimin e një “teksti rusofobik”.
“Po flasim për një manifestim të dukshëm nacionalist në deklaratat e presidentit francez. Bëhet fjalë për atë që serbët e dinë nga historia e tyre. Kur NATO ndërton politikën e saj kundër një kombi apo kombësie të caktuar. Si mund të publikohet kjo?” tha Zakharova, raporton “Anadolu”,
“Si mund të publikohet kjo pa të paktën një fusnotë apo një koment?” pyeti Zakharova. “Ne kemi dëgjuar shumë deklarata irracionale nga liderët perëndimorë, por ky është një shembull i qartë i çmendurisë absolute”.
Ajo u bëri thirrje gazetarëve serbë të kujtojnë historinë e përbashkët midis Serbisë dhe Rusisë dhe të kenë parasysh implikimet e ardhshme të rreshtimit me fuqitë perëndimore.
“Nuk më kujtohet që Franca t’i ketë ardhur në ndihmë Serbisë, por e di sa herë Rusia e ka ndihmuar”, tha Zakharova. “Kjo vlen si për të kaluarën e largët ashtu edhe për historinë moderne”.
Zëdhënësja e MPJ-së ruse theksoi gjithashtu mbështetjen e Rusisë për Serbinë në momente kritike, siç është kundërshtimi i fushatës së bombardimeve të NATO-s dhe refuzimi për të njohur pavarësinë e Kosovës.
“Rusia ka ofruar ndihmë të madhe ekonomike për Serbinë, duke përfshirë projekte reciproke të dobishme dhe iniciativa infrastrukturore bazuar në kërkesat e Beogradit”, tha ajo.
“Dhe tani, mediat e tyre publikojnë thirrje për një ‘marshim ndaj Rusisë’ dhe krijimin e një fronti anti-rus të cilit pritet t’i bashkohet Serbia. Jam e tëra për pluralizmin e opinioneve, por ka një vijë midis lirisë së fjalës dhe fyerjes së drejtpërdrejtë, thirrjeve naziste dhe falsifikimeve”, tha zëdhënësja e MPJ-së ruse, Maria Zakharova