Policia e Kosovës ka dhënë detaje për shpërthimin e djeshëm në Zubin Potok. Sipas raportit 24 orësh të PK-së, nga mjeti shpërthyes i hedhur në oborrin e një shtëpie, janë dëmtuar një veturë dhe dy xhama të shtëpisë.
Rasti po hetohet nga Policia e Kosovës.
“SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM Zubin Potok / 04.09.2024 – 02:40. Është raportuar se të dyshuar të panjohur kanë hedhur një mjet shpërthyes në oborrin e një shtëpie me ç’rast është dëmtuar një veturë dhe dy xhama të shtëpisë. Me urdhër të prokurorit, është iniciuar rasti dhe mbetet nën hetime”, thuhet në raport.
Dje është raportuar se mjeti shpërthyes u hodh në shtëpinë e një bashkëpunëtorit të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqiri.
“Po, rasti ka ndodhur tek shtëpia e një nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë. Ai është asistent i imi, që merret me punët me komunitetin serb. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 1-2 pas mesnatës”, tha Zeqiri për Klankosova.tv
Kreu i Zubin Potokut, foli edhe rreth dyshimeve për motivin rreth këtij rasti.
“Paj, dyshimet kanë të bëjnë në lidhje me mua. Po synojnë të bëjnë pengesa”, tha numri një i Zubin Potokut.
Të hënën Izmir Zeqiri, kishte njoftuar se ishte kërcënuar nga një person në rrjetet sociale.