Arrestimi i shtetasit të Kosovës nga Turqia si ” agjent i Mossad”, as diplomati turk e as nikoqirët e tij s’folën publikisht për të

by Nexhat

Në fillim të këtij muaji, inteligjenca turke arrestoi një shtetas të Kosovës nën dyshimet se i ka shërbyer agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi. Tri ditë pas kësaj ngjarje, kryediplomati turk, Hakan Fidan, erdhi në Kosovë për t’u takuar me krerët e shtetit. Në fillim u duk se ardhja e tij mund të ketë të bëjë diçka edhe me këtë rast, por nuk u përmend hiç publikisht.

Liridon Rexhepi u arrestua më 3 shtator në Turqi me akuzat se ka transferuar para tek operativët e agjencisë izraelite të inteligjencës Mossad në Turqi, siç raportoi agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu. Ai kishte hyrë në Turqi më 25 gusht, u ndalua të premten e kaluar dhe të martën zyrtarisht u arrestua. Dyshohet se Rexhepi, sipas palës turke, ka lehtësuar transferet financiare nga shtetet e Europës Lindore, kryesisht nga Kosova, për tek agjentët e Mossadit në Turqi

banner

Mbrëmë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, doli në aeroport për ta pritur homologun e saj turk, Hakan Fidan, i cili pati në plan që sot t’i niste takimet me krerët e shtetit kosovar. Fidan takimin e parë sot e nisi me Gërvallën dhe me të mbajti edhe një konferencë për media për të treguar qëllimin e vizitës dhe temat që i foli me të.

Fillimisht tha se në Prishtinë ndihet si në shtëpi sepse “Prishtina konsiderohet si shtëpi e jona”, pa përmendur dicka rreth rastit

“Ne si Turqi duhet të jemi të gatshëm të ndihmojmë për të gjitha aspektet e sigurisë. Për ne s’ka gjë më normale sesa ta mbështesim Kosovën, kjo do të vazhdojë edhe në shumë fusha tjera”, tha Fidan kur u pyet mbi një marrëveshje të sigurisë Kosovë-Turqi, të cilën e përmendi gjatë fjalimit, por për të cilën s’dha fort detaje.

Fjalimi i Fidan, i cili ishte i fokusuar në çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit me Kosovën në këtë fushë, nuk e tha asnjë fjalë për rastin e kosovarit të arrestuar. Megjithatë, për izraelitët ai foli pak. Fidan edhe në Prishtinë përçoi qëndrimin e ashpër të shtetit të tij karshi Izraelit për luftën në Gaza, të cilin e akuzon për gjenocid.

“Fatkeqësisht gjenocidi në Gaza është duke vazhduar, [kryeministri izraelit] Netanyahu dita-ditës është duke dalë nga kontrolli dhe është duke e përhapur brutalitetin e tij edhe në Bregun Perëndimor. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i japë fund shkeljes të së drejtës”, tha Fidan.

Në lidhje me konfliktin e ngjarjet në Lindjen e Mesme, ai foli edhe pak më tepër kur u pyet nga një gazetar turk që e shfrytëzoi konferencën në Prishtinë për ta pyetur për vizitën e presidentit të Egjiptit në Ankara.

Kosova zyrtarisht është deklaruar për rastin e Liridon Rexhepit përmes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila në ditën e arrestimit të tij konfirmoi se kishin marrë një shkresë zyrtare nga Turqia me pyetje rreth kësaj çështje.

“Në përgjithësi bashkëpunimi juridik me Turqinë është shumë i mirë. Ne trajtojmë kërkesa që janë në përputhje me vendimet e gjykatave dhe sipas legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjet të cilat ne i kemi. Në këtë drejtim, na kanë dërguar pyetje me shkrim për rastin në fjalë porsa hyra në këtë konferencë dhe për shkak të ndjeshmërisë së çështjes sepse në përgjithësi këto çështje janë të ndjeshme, sidomos kur jepet informacioni pa u kryer një veprim siç duhet. Unë kam kërkuar nga drejtori i departamentit që të më njoftojë vetëm për çështjet me të cilat mund të njoftohet publiku. Prandaj, me konsideratë kërkoj që sapo të përmbyllet kjo konferencë më lejoni që të përgjigjemi me shkrim në raport me çështjet të cilat lejohen. Pra, tashmë drejtori i departamentit po merret me këtë çështje”, tha Haxhiu më 3 shtator

Pas Gërvallës, Fidan u takua edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, si dhe kryeministrin Albin Kurti.

Osmani ishte e shkurtë në njoftimin për takimin, duke thënë se kanë folur për potencialin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes, si dhe fusha të tjera të interesit të ndërsjellë. 

As Kurti nuk e zgjati fort dhe nuk e preki temën e këtij arrestimi.

Zyra e Kryeministrit tha se Kurti dhe Fidan e vazhduan diskutimet mbi marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike, ndërsa shtoi se “të dy u shprehën të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik”.

Liridon Rexhepi ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Stamboll, sipas avokatit Arianit Koci, i cili është edhe përfaqësues ligjor i familjes së Rexhepit.

Koci për T7 dje kishte thënë se Liridon Rexhepi është mirë dhe se autoritetet turke po i vazhdojnë hetimet dhe punën e tyre sipas ligjit.

Paratë e transferuara nga Rexhepi raportohet të jenë përdorur për mbledhje të informacioneve në Siri, për kryerjen e operacioneve psikologjike kundër palestinezëve dhe koordinimin e operacioneve që lidhen me dronët.

Në mediat turke u raportua se Rexhepi përdori shërbime për transferimin e parave për në Turqi. Kur arriti në këtë shtet, paratë u shpërndanë tek operativët në terren, të cilët në këmbim, i dërguan këto para tek asetet në Siri, shpesh duke përdorur kriptovaluta për t’i realizuar këto transfere

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy