Në Kishën ‘Shën Tereza’ në Dugajevë të Klinës, është shënuar 45-vjetori i Laureimit me Çmimin Nobel për Paqe të Shën Nënë Terezës

by Nexhat

Shën Nënë Tereza është vlerësuar nga e terë bota për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm ndaj njerëzve më të varfër dhe më të braktisur. Ajo, përveçse ishte një murgeshë e Kishës Katolike, e tejkaloi kufirin e kombësive, feve dhe kulturave, duke u bërë një simbol i universalitetit të dashurisë, humanizmit dhe dhembshurisë.

Me thjeshtësinë e saj të jashtëzakonshme, ajo ndërtoi ura të humanizmit, bamirësisë në mes popujve të botës dhe frymëzoi miliona njerëz për të ndihmuar të sëmurët, të varfrit dhe të braktisurit. Nderimet që mori, përfshirë edhe Çmimin Nobel për Paqe, janë dëshmi lapidare e njohjes globale të misionit të saj hyjnor dhe humanitar.

banner

Andaj, të enjten, më 5 shtator 2024, në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione, në Kishën “Shën Nënë Tereza” në Dugajevë të Klinës, u zhvillua një takim kulturor për të përkujtuar 45-vjetorin e pranimit të Çmimit Nobel për Paqe nga Nënë Tereza. Ky takim kulturor u organizua nga don Ambroz Demaj, famullitar në Kishën e  Gllaviqicës.

Ngjarja filloi me Meshën shenjte në Kishën “Shën Tereza” në Dugajevë, Meshë qe është bashkëcelebruar nga msgr. dr. Lush Gjergji, don Ambroz Demaj, don Nikë Ukgjini, don Jeton Thaqi, don Shtjefën Dodes.

Në këtë manifestim morën pjesë qytetarë dhe personalitete të njohura nga ipeshkvia e Kosovës, përfshirë msgr. dr. Lush Gjergji, z. Zenun Elezaj, kryetar i Komunës, drejtori i Radio Marisë, z. Emanuel Demaj, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” si dhe përfaqësues të tjerë të jetës publike, kulturore dhe shkencore, për të nderuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës, e cila fitoi dashurinë e qindra miliona njerëzve nga e gjithë bota e që mbetet një simbol i dashurisë, dhembshurisë, bamirësisë dhe paqes në shpirtrat e njerëzve mbi tokë.

Ngjarja u përcoll nga disa media. Takimi nisi me një ceremoni të ngrohtë në oborrin e Kishës “Shën Tereza”.

Pas ceremonisë së hapjes, u mbajtën disa fjalime përshëndetëse nga personalitete të njohura. Organizatori i këtij manifestimi, don Ambroz Demaj, përshëndeti dhe i falënderoi të pranishmit, ndërsa një ndër momentet kyçe të aktivitetit ishte kumtesa studimore e biografit të Nënës Terezë, msgr. dr. Lush Gjergjit, i cili foli për rolin shumëdimensional të Nënë Terezës, duke ofruar një dëshmi e biografi të thellë për misionin dhe kontributin e saj në humanizmin global dhe ndikimin e saj si shqiptare me një trashëgimi të jashtëzakonshme.

Kumtesa të tjera mbajtën teologu dhe studiuesi dr. don Nikë Ukgjini, prof. Pal Canaj në emër të Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi”, dhe prof. Nikollë Gojani në emër të Bashkësisë Lokale të Dugajevës, të cilët shprehën mirënjohje për komunitetin dhe theksuan rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së Nënë Terezës, e cila 45 vjet më parë mori Çmimin Nobel për Paqe.

Në emër të Komunës së Klinës është paraqitur edhe z. Zenun Elezaj, kryetar dhe gazetari i spikatur nga  Shqipëria, prof. Aleksander Ndoja. Ndërsa në emër të Motrave Misionare të Dashurisë apo të motrave të Nënës Terezë foli motra Tekla.

Takimi kulmoi me disa performanca poetike nga poetet Brenda Gojani dhe Martina Nikprelaj ( poezi e përkthyer Gjuha Angleze nga prof. Dodë Ndrecaj) të cilat me vargjet e tyre, dëshmuan dhe nderuan përpjekjet e Nënë Terezës për të ndihmuar më të varfrit, të braktisurit dhe të sëmurët, pa dallim feje, etnie apo ngjyrë.

Është interpretuar edhe një pikë muzikore nga Martina Berisha dedikuar Nënës Terezë. Pas përfundimit të këtij Takimi, mysafiret pjesëmarrës më rastin e ditës së Shenjtërimit të Nënës Terezë janë gostitur me pije dhe ushqime tradicionale nga fshati Dugajevë.

Ky takim kulturor në ditën e Shenjtërimit te Nënës Terezë e 45-vjetorin e Laureimit me Çmimin Nobel për Paqe, riktheu në vëmendje vlerat e pavdekshme të Nënë Terezës dhe ndikimin e saj global si një simbol i humanizmit dhe paqes universale.

HISTORIK I SHKURTER RRETH BIOGRAFISE SE SHËN NËNË TËREZËS: Sipas të gjeturave gjatë leximeve të librave të Shën Nënë Terezës, njëkohësisht edhe nga ato të Vaticananews, e gjejmë biografinë e përgjithshme të Shën Nënë Terezës dhe mirënjohjet e nderuara me shumë çmime të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare. “E Lumtura Tereza e Kalkutës (me emër të lindjes: Gonxha Agnes Bojaxhiu) lindi në Shkup më 26 gusht 1910, fëmija i pestë dhe i fundit i prindërve shqiptarë Nikolla dhe Drane Bojaxhiu. U pagëzua të nesërme dhe u pagëzua në Kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm patriot Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo llogariste si datëlindje të saj. Kungimin e Parë në moshën 5 vjeç e gjysmë. Që nga ai moment u mbush me dashuri për shpirtrat. Në vitin 1928, duke dëshiruar të bëhej misionare, hyri në Kongregatën e Motrave të Loretos (IBVM) në Irlandë. Ajo mbërriti në Indi në vitin 1929, dha betimet e para në maj 1931 dhe betimet e përjetshme në maj 1937. Gjatë njëzet viteve që kaloi në Indi, duke u përkushtuar ndaj mësimdhënies, u dallua për dashamirësi, zell, përkushtim dhe gëzim. Më 10 shtator 1946, mori nga Jezusi thirrjen “për të hequr dorë nga gjithçka dhe për t’i shërbyer Atij në më të varfrit ndër të varfër”. Në vitin 1948 mori lejen kishtare për të filluar apostullimin e saj në skajet e Kalkutës. Misionaret e Dashurisë (MC) u ngritën si Kongregatë me të drejta të plota papnore më 7 tetor 1950 dhe u njohën zyrtarisht në shkurt 1965. Karizma kryesore e Kongregatës është të shuajë etjen e pafundme të Jezusit për dashuri dhe shpirtëra, duke u përkushtuar për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër. Për të zgjeruar misionin e saj të dashurisë, Nënë Tereza themeloi degën e Vëllezërve MC (1963), Motrave Kontemplative (1976), Vëllezërve Kontemplativë (1979) dhe Etërve MC (1984), si dhe shoqatën e Bashkëpunëtorëve, të Bashkëpunëtorëve që vuajnë dhe Lëvizjen Corpus Christi për priftërinjtë. Në momentin e vdekjes së saj, më 5 shtator 1997, Kongregata numëronte 3842 motra, duke vepruar në 594 shtëpi në 120 vende. Megjithëse përjetonte një errësirë të dhimbshme të brendshme, Nënë Tereza shkonte kudo, me përkujdesje, si Maria në episodin e Vizitës, për të rrezatuar dashurinë e Jezusit në të gjithë botën, duke u bërë një ikonë e dashurisë së tij të butë dhe të mëshirshme ndaj të gjithë njerëzve, veçanërisht të papriturve dhe të lënë pas dore. Mesazhi i saj i pandërprerë ishte të “ndezim dritën e dashurisë për ata që jetojnë në errësirën më të thellë mbi tokë.

Për shenjtërimin e Nënës Terezë, Komisioni përkatës i Selisë së Shënjtë, nën drejtimin e Papa Françeskut, zyrtarisht njohu dy mrekullitë e saja të cilat njihen edhe për njerëzimin. Mrekullia e parë ishte në vitin 2008, ku u bë e ditur se ajo kishte shëruar një brazilian që vuante nga disa tumore të trurit. Marcilio Haddad Andrino tregon se mjekët nuk i kishin dhënë asnjë shpresë për të jetuar, por gruaja e tij Fernanda lutej vazhdimisht dhe besonte se ishte ndërhyrja e Nënë Terezës që ai u shërua kur ishte në kujdes intensiv. Ndërsa mrekullia e dytë e Nënës Terezë është shërimi i Monica Besra, e cila thotë se u shërua nga kanceri pas lutjeve drejtuar Nënë Terezës. Ishte meshtari i Kishës Katolike, kanadezi Brian Kolodiejçuk, udhëhoqi përpjekjet për shenjtërimin e Nënë Terezës. Ai thekson se kanonizimi i saj është njohja e faktit se ajo jo vetëm që zhyti veten në varfërinë materiale të të varfërve, por edhe në varfërinë shpirtërore të atyre që ndiheshin të braktisur. Shën Nënë Tereza u shenjtërua më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, në një ceremoni madhështore në Vatikan. Ky akt i shenjtërimit përbën kulmin e njohjes së jetës së saj si një model i përkushtimit të thellë ndaj të varfërve dhe vuajtësve. Përmes misionit të saj të pashtershëm me Misionaret e Bamirësisë, ajo jo vetëm qe preku jetën e mijëra njerëzve në mjerim, por më konkret u bë një frymëzim për gjithë botën njerëzore. Shenjtërimi i saj e vulosi përgjithmonë statusin e saj si një figurë e shenjtë dhe simbol i dashurisë së krishterë në veprim e sipër.

Përveç Nobelit të Paqes, Nënë Tereza mori edhe qindra çmime tjera duke i veçuar disa nga me te rëndësishme si: Çmimi “Padma Shri” (1962), Çmimi “Papa Gjoni XXIII për Paqe” (1971), Çmimi “Gjon Kenedi” (1971), Çmimi “Nehru”, Çmimi “Nëna e të gjitha nënave” (1973), “Medalja e Lirisë” (1985), i dhënë nga presidenti Ronald Reagan, dhe shumë të tjera. Më 28 tetor 1996, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e shpalli Nënë Terezën “Qytetare Nderi e Republikës së Kosovës”, ndërsa në të njëjtin vit, Presidenti i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, e nderoi me “Urdhrin e Artë të Popullit Shqiptar”. Vlerësime të tjera i janë dhënë nga personalitete si Papa i Lum Gjon Pali II, Presidenti Bill Klinton, Kryeministri Tony Blair, dhe të tjerë”

banner

Të ngjajshme

Ne jemi informim.net, një portal lajmesh që kemi një qëllim të qartë dhe premtim për të qenë portal lajmesh më i shpejtë në Kosovë dhe në rajon.
Ne kemi një staf të përkushtuar gazetarësh dhe redaktorësh që punojnë vazhdimisht për të sjellë lajme aktuale dhe të besueshme për lexuesit tanë. Ne ofrojmë lajme nga Kosova dhe më gjerë, duke i kushtuar rëndësi çështjeve që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve. Gjithashtu, ne kemi një fokus të veçantë në kulturë, art, dhe inovacione teknologjike.

Edtior's Picks

Latest Articles

All Right Reserved 2023

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy