Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se javëve të fundit janë njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mbeten në fuqi masat e Bashkimit Europian të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.
Megjithatë, në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo theksoi se Gjermania është pro heqjes së masave.
“Qëndrimi i Gjermanisë është qartë pro heqjes së masave. Ketë e kanë bërë publik disa herë, dhe ka qenë një ndër shtetet që më së shumti kanë insistuar që të heqen masat tash e sa kohë. Ky duhet të jetë vendim unanim i BE-së, dhe javëve të fundit jemi njoftuar se herë një shtet herë një tjetër kanë kërkuar të mbeten masat për shkak të pakënaqësive të tyre për arsye të ndryshme”- u shpreh ajo.
Osmani nuk ka pranuar të përmendë këto shtete duke thënë se për shkak të diskrecionit diplomatik është më mirë të mos përmenden.
“Ne na duhet me i bindë ato shtete dhe jo me i sulmu”- ka thënë ajo në intervistën ekskluzive për “KALLXO Përnime”.
Ndërsa, u shpreh që “nuk ka takim, nuk ka angazhim, nuk ka telefonatë, nuk ka samit ndërkombëtar që kjo nuk është çështja themelore të cilën e diskutoj”.
Sipas Osmanit, ndonjëherë për shkak të mospajtimeve të vogla bllokohet vendimmarrja për ketë çështje në BE.
“Ka shumë sentiment kundër brenda Bashkimit Europian, sepse përkundër faktit që Kosova është 100% në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, qoftë politika të sanksioneve, qoftë vendime të tjera që i merr BE-ja, nganjëherë mezi presin një mospajtim sado të vogël me e gjetë që me u blloku vendimmarrja”- ka thënë ajo.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë