Gazetari Eni Ferhati tha në një lidhje për emisionin ‘Now me Erla Mëhillin’ në Euronews Albania se Gjykata mund të zbusë masën e sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, nga ‘arrest shtëpie’ në ‘detyrim paraqitje’.
Komentet Ferhati i bëri një ditë përpara se Berisha të paraqitet në SPAK, ku priten t’i komunikohen akuzat nga Prokuroria e Posaçme, pas këtyre muajve hetime
Ferhati tha gjithashtu se argumenti i vetëm i SPAK që Berisha ka qëndruar në ‘arrest shtëpie’ është se ai mund të prishte provat, argument që sipas tij bie pasi hetimi ka përfunduar.
Ai tha gjithashtu se Berisha nëse lirohet nga masa e arrestit, do të mund t’i kthehet jetës parlamentare dhe udhëheqjes së protestave.
“Unë e shikoj si një avantazh ndaj zotit Berisha dhe jetës politike të tij. Sepse deri në këto momente SPAK gjatë gjithë kërkesave të avokatëve të Berishës për të kërkuar një masë më të butë sigurie, janë refuzuar nga Prokuroria e Posaçme me argumentin se Berisha mund të ndikojë në prishjen e provave.
Kjo alibi e SPAK do të bie, sepse pasi të mbyllen hetimet nuk ka si Berisha të ndikojë më. Kjo mund të bëjë që Gjykata të jetë më elastike në vendimin e saj, duke vendosur ndaj tij masën ‘detyrim paraqitje’.
Dhe Berisha në këtë kontekst do të vijojë jetën e tij parlamentare, duke marrë pjesë në Parlament, duke udhëhequr protestat që janë lançuar, etj. Berisha ka depozituar mbi 20 kërkesa në të gjitha rangjet e gjykatave në vend dhe janë refuzuar kryesisht duke pasur parasysh këtë argument të Prokurorisë”, tha Ferhati.