Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka dhënë një intervistë për mediumin turk në gjuhën angleze “TRT World”, ku ka folur për shumë tema të dialogut, përfshirë çështjen e Urës së Ibrit. Në këtë intervistë, Gërvalla ka thënë se ura nuk po hapet tani, duke shtuar se vetëm po “përgatitet situata”.
Gërvalla vlerësoi se nuk ka asgjë të keqe që të hapet ura dhe se ura është një nga simbolet e fundit në Kosovë të Sllobodan Millosheviqit, ish-president autoritar i Jugosllavisë dhe ish i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, që gjerësisht njihet si “Kasapi i Ballkanit”.
Gërvalla u pyet pse atëherë të hapet kjo urë tani. Kryediplomatja kosovare tha se janë duke u kryer disa përgatitje “për ta hapur atë në një moment të përshtatshëm”.
“Nuk po e hapim tani. Ne jemi duke u bërë gati për të hapur në një moment kur është e përshtatshme për qytetin, qytetarët dhe për vendin tonë. Pra derisa po përgatitemi, ne jemi duke i bërë të gjitha çështjet teknike që janë të nevojshme, sepse kjo urë nuk është përdorur për një kohë për automjete dhe ne jemi duke i bërë të gjithë hapat teknikë. Ne jemi duke u përgatitur në takimin me qytetarët në të dy pjesët e qytetit përmes kryetarëve dhe politikanë të tjerë. Pra ne jemi duke e përgatitur situatën që hapja e urës të jetë një ditë hareje për të gjithë”, tha Gërvalla