Policia e Kosovës ka arrestuar asambleistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Enver Rrahmanin, nën dyshimin se ka kanosur dhe sulmuar fizikisht Kryetarin e Komunës, Shpejtim Bulliqin.
Sipas njoftimit të Policisë bëhet e ditur se i njëjti është dërguar në mbajtje.
“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR-Podujevë / 12.09.2024 – 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh.
Ndryshe, Bulliqi dhe Rrahmani u përplasën dje gjatë sëancës së kuvendit në komunën e Podujevës.
Ata i janë drejtuar njëri-tjetrit me shprehje si “tradhtar”, “pis”, “legen”.
Seanca u ndërpre nga fyerjet, ku në një moment Rrahmani shihet teksa i afrohet Bulliqit, gjë për të cilën reaguan edhe asambleistët.