Sarrazin paralajmëron pasoja për Kosovën nëse refuzon marrëveshjet tregtare rajonale

by Nexhat

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka bërë një analizë të thellë mbi situatën aktuale dhe sfidat që po përballet Kosova në kontekstin e Samitit të Berlinit dhe të ardhmes së Procesit të Berlinit.

Sarrazin në RTK theksoi se Kosova ndodhet në një kryqëzim të rëndësishëm dhe se marrëveshjet e mundshme do të kenë ndikime të thella mbi integrimin rajonal dhe përfitimet për qytetarët e Kosovës

banner

Sarrazin shpjegoi se Gjermania ka ofruar një mundësi të rëndësishme për Kosovën, duke propozuar një zgjidhje që do të mundësojë që Kosova të përfaqësohet vet në organet e CEFTA-s dhe të sigurojë një treg rajonal të përbashkët.

“Ne i kemi hapur veshët për Kosovën. Pra, është një hap i ri drejt njohjes. E ofrojmë një zgjidhje që e bën të mundur për Kosovën që të përfaqësohet vet në organet e CEFTA-s dhe për të siguruar një treg rajonal të përbashkët, ashtu që CEFTA të zgjerohet që të përfitojë popullata në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjëra konkrete si ato gjitha lejet e punës që pranohen në BE, etj. Do t’i vendosnim atë kunjin e fundit arkivolit të Ballkanit të Hapur. Ofruam një marrëveshje që në një anë, duke dëgjuar dëshirën e Kosovës që të përfaqësohet vet në organet e CEFTA-s dhe pastaj kemi ofruar sigurinë gjermane-evropiane dhe në kufij. Por duhet të jemi të qartë, ne, Gjermania duam tregti të lirë në rajon dhe kjo përfshin edhe mallrat nga Serbia. Nuk janë vetëm mallrat serbe, por edhe produktet gjermane që prodhohen në Serbi e që nuk lejohen të hyjnë në Kosovë dhe kjo nuk është në pajtim me parimet tona të tregtisë së lirë. Nuk mund të bëjmë marrëveshje të tillë për tregtinë e përbashkët në tregun rajonal duke pasur këto gjëra”, ka theksuar Sarrazin

Ai shprehu shqetësimin se nëse Samiti i Berlinit në 14 tetor dështon të sigurojë një treg të përbashkët rajonal, mund të riaktualizohet ideja e “Ballkanit të Hapur”.

“Nëse ky samit nuk mbahet, nëse nuk sigurohet tregu i përbashkët rajonal dhe plani i madh i komisionit evropian që të ketë sukses dhe një gurthemel i kësaj do të jetë samiti më 14 tetor në Berlin, sigurisht që menjëherë vjen Ballkani i Hapur. Pra, Ballkani i Hapur është krijuar për ta anashkaluar Kosovën. Ne, kemi filluar të punojmë ashtu që Kosova të jetë në të njëjtën tryezë, me të njëjtat të drejta, me të njëjtin nivel si të tjerët. Duhet të ecim përpara, nuk mund ta lëmë gjithë rajonin që të presë për këtë bashkëpunim. Nuk mund të rrezikojmë tregun e përbashkët rajonal dhe nuk mund të ketë sukses Procesi i Berlinit. Pra nuk është në interes të Kosovës, por as tonin”, është shprehur Sarrazin

Sarrazin bëri të qartë se pjesëmarrja e Kosovës në samit është e rëndësishme për të garantuar që vendi të ketë të drejta të barabarta në tryezën e bisedimeve. Ai theksoi se nëse Kosova refuzon të heqë ndalesat e mallrave, mund të përballet me pasoja të rënda, duke përfshirë mundësinë e përjashtimit nga mekanizmat e ardhshëm dhe ndikimet negative në integrimin në BE.

“Unë vijë nga një prapavijë politike që është shumë pro Kosovës. Ne jemi angazhuar për pavarësinë e Kosovës që nga dita e parë, edhe para vitit 2008 dhe ndoshta e mbani mend edhe angazhimin tim personal kur ka pasur debate për atë këmbimin e territoreve dhe shumë debateve tjera, por duhet ta them qartë se sigurisht se do ta nderojmë flamurin dhe shtetin e Kosovës, sigurisht se do të ftohen të gjithë. Çështjet protokolare do të jenë të njëjta, edhe në darkën e Krishtlindjeve, por nëse duan të marrin pjesë në ato dhuratat e Krishtlindjes, atëherë duhet të marrin vendime. Pra, nuk mund t’i japim dhurata atyre që nuk e duan Babadimrin. Pra, duam ta zhbllokojmë gjithë procesin, jo vetëm të mbajmë një samit sa për sy e faqe. Pra, në njërën anë na duhet Kosova të jetë pjesë e tryezës ose do të vazhdojmë tryezën pa Kosovën. Një mekanizëm të ndërsjellë që do të nënshkruhet pa Kosovën, pra të merren vendime për pesë anëtarë e jo për gjashtë”, ka shtuar emisari gjerman.

Sarrazin theksoi se Kosova nuk mund të bllokojë shtetet e tjera të rajonit në këtë proces.

“Ne sigurisht shpresojmë që Kosova të marrë pjesë në samit, ne nuk do ta ftojmë pastaj Kosovën në mekanizmin e përkohshëm nëse nuk lëvizet në heqjen e masave tregtare, që për mendimin tim nuk është që po sjellin më shumë siguri, por që po veprojnë kundër tregtisë së lirë, madje edhe për produktet gjermane nga Serbia. Kjo është situata. Nuk është ndonjë goditje ndaj Kosovës. Mund të jetë vetëm thjesht vlerësim ndryshe. D.m.th duhet të ecim tutje. Kosova duhet të jetë në tryezë. Nëse qeveria e Kosovës të thotë se nuk po na pëlqen kjo marrëveshje dhe të tjerët na ofrojnë më shumë, sigurisht se janë të lirë ta marrin këtë vendim. Thjesht nuk do ta kenë mundësinë të na bllokojnë neve dhe pesë të tjerët në këtë rajon në këtë bashkëpunim”, ka theksuar Sarrazin.

Ai ka folur edhe për pasojat e Kosovës në rast se nuk vepron konform këshillave gjermane për CEFTA-n.

“Marrëveshja është në tryezë. Nëse Kosova nuk e shfrytëzon këtë nuk do të arrijë gjërat e tjera në atë tryezë. E kemi bërë të qartë se ky mekanizëm e ka mundësinë që Kosova të kthehet në një moment të mëvonshëm, por që pastaj çmimi është më i lartë. Nganjëherë është më mirë të nënshkruash marrëveshjen se sa të presësh më vonë, sepse mund të lëvizë edhe çmimi. Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkangjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së. Konkretisht për Kosovën mund të jetë pengesë në atë planin CEEPA. Pasojat, pra mund të jenë për popullin, për qytetarët. Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët. Por, kjo nuk është goditje kundër Kosovës, por është nevojë urgjente për të ecur tutje në këtë bashkëpunim rajonal. E përsëris, duam që Kosova të jetë në tryezë, është ideologji e jona si Gjermani. Është agjendë që ta bëjë këtë, por Gjermania nuk mund ta presë Kosovën, nëse nuk arrin të bëjë marrëveshjen”, ka nënvizuar Sarrazin

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy