Qeveria aktuale në Maqedoninë e Veriut dëshiron ta shmangë nismën e Ballkanit të Hapur, të cilën e konsideron të ndryshme nga pozicionet e saj politike, ekonomike dhe sociale, thotë për publicisti shqiptar Ben Andoni.
Ai thekson se deklaratat e fundit që vijnë nga Maqedonia e Veriut në lidhje me rishikimin e Ballkanit të Hapur pasojnë deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se “Ballkani i Hapur ka vdekur”.
“Rama ka tentuar të ndryshojë qëndrim në disa aktivitete që kanë ndodhur më vonë dhe kjo besohet të ketë ardhur për shkak të reagimit të palës serbe përmes zotit Vuçiq. Qëndrimi i Serbisë ishte që Ballkani i Hapur të vazhdojë”, tha Andoni për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online”.
Ai shton se është e çuditshme që ndryshimi i qeverisë në Maqedoninë e Veriut shkaktoi tronditje të madhe në vend.
“Goditja e parë ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për t’i rishikuar atributet e gjuhës shqipe në parlament, në institucione dhe në të gjithë jetën e vendit. Ngjarja e dytë është përpjekja e qeverisë për të rishikuar Ballkanin e Hapur. Sepse koalicioni i djathtë ka një qëndrim të ndryshëm nga partia e mëparshme e socialdemokratëve. Qeveria e sotme kërkon ta shmangë këtë nismë, të cilën e konsideron të ndryshme nga qëndrimet e saj politike, ekonomike dhe sociale. Ballkani i Hapur, me të gjitha llogaritë, po vdes si iniciativë pas këtij qëndrimi maqedonas”, tha Andoni.
Sipas tij, kjo po ndodh edhe për shkak se Gjermania po përpiqet ta ringjallë Procesin e Berlinit me vizitat e përfaqësuesit të saj Manuel Sarrazin në Ballkan.
“Mendoj se maqedonasit e kuptojnë se kanë më pak potencial se Serbia, por edhe shohin se nuk kanë barazi me Shqipërinë. Gjithashtu, qëndrimi i ri i shumicës maqedonase ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët paradoksalisht janë pjesë e qeverisë, ka një ndikim këtu”, shprehet Andoni