BDI: Qeveria e RMV e ndërpreu procedurën për përdorimin e gjuhës shqipe në tabelat rrugore, diskriminim i qartë

by Nexhat

Bashkimi Demokratik për Integrim, partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ka alarmuar se një ndërmarrje publike që kujdeset për rrugët e shtetit i ka ndërprerë procedurat për ndërrimin e shenjave të komunikacionit për ta resepektuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

BDI-ja, përmes një komunikate, e konsideron këtë “skandal” dhe “akt të qartë diskriminimi ndaj shqiptarëve”.

banner

“Skandalet me gjuhën shqipe nuk kanë të ndalur. Ndërmarrja publike për rrugët e shtetit ka ndërprerë procedurat për projektin e udhëheqjes së kaluar, që kishte për qëllim ndryshimin e të gjitha shenjave të komunikacionit në autostrada, në përputhje me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Ky është një hap i paprecedent dhe i dëmshëm për zbatimin e ligjit që garanton barazinë gjuhësore. Pavarësisht faktit që procesi i përzgjedhjes së kompanisë për realizimin e projektit ishte përfunduar, udhëheqësia aktuale ka vendosur të ndërpresë procedurën”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

BDI-ja, tash në opozitë, thotë se “kjo ndërprerje mund të verifikohet lehtësisht në sistemin elektronik të prokurimeve publike” dhe se ajo ngre “pikëpyetje serioze mbi qëndrimin e kësaj qeverie ndaj zbatimit të ligjit”.

“Bashkimi Demokratik për Integrim alarmon se këto dështime vijnë si rezultat i mungesës së legjitimitetit zgjedhor të kësaj qeverie, paaftësisë së qartë të saj për të menaxhuar procese kyçe dhe varësisë së saj nga ndikimet politike të VMRO-së”, thotë BDI-ja, duke iu referuar koalicionit të partive shqiptare, VLEN, që është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

“Këto veprime janë të papranueshme dhe dëmtojnë rëndë procesin e barazisë institucionale në vend. Në vend që të përballen me përgjegjësitë e tyre, humbësit e zgjedhjeve po përpiqen t’i mbulojnë këto dështime masive me sulme politike të pabaza dhe përndjekje të panevojshme”, thuhet në komunikatë.

Së fundmi u raportua se Maqedonia e Veriut e ka hequr gjuhën shqipe në tabelat e sinjalistikës rrugore. U publikua fotografia e një tabele në afërsi të vendkalimit kufitar me Kosovën në Bllacë, ku shiheshin vetëm tri mbishkrime: në gjuhën maqedonase, në anglisht dhe në frengjisht, por jo në shqip. Megjithatë, pak më vonë u kthye tabela e vjetër, që mban emrin e shtetit të shkuar edhe në shqip

“Ndërprerja e dhunshme dhe joinstitucionale e tabelave në kufi me Kosovën dhe rikthimi i tabelave të vjetra është një tjetër tregues i paaftësisë së kësaj qeverie për të zbatuar standardet institucionale dhe ligjore”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Pas më shumë se 100 ditë qeverisjeje, sipas BDI-së, “kjo udhëheqësi monoetnike ende përpiqet t’ia hedhë fajin të tjerëve për dështimet e saj të vazhdueshme”.

“Këto veprime jo vetëm që minojnë institucionet e shtetit, por përbëjnë edhe një akt të qartë diskriminimi ndaj shqiptarëve”, thuhet në komunikatë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy