Mbi 13 milionë turistë kanë vizituar Shqipërinë këtë vit. Shifra në rritje, krahasuar me një vit më parë. Por, përveç vizitorëve, janë shtuar edhe problemet.
“Njësitë e shërbimit e filluan mirë, deri në maj pothuajse luajtën me çmimet e vitit të kaluar”, tha në “Dita jonë” në A2 CNN, Hasan Stafa, nga Mbrojtja e Konsumatorit.
“Ndërsa duke filluar nga data 22 maj e pas, u ndryshua totalisht lista e çmimeve në restorante, bare. Një pjesë e tyre i hoqën fare menytë që patën të ekspozuara deri në vitin 2023 dhe filluan të luanin me mashtrimin e çmimeve”.
“Natyrisht filloi me kosovarët në fillim dhe ata shqiptarë të Maqedonisë së Veriut që erdhën deri në fillim të qershorit. Duke luajtur me dy standarde, kur shkonte një pushues shqiptar e merrte pjatën me 3 euro, ndërsa kur shkonte dikush që fliste një gjuhë tjetër, çmimi dyfishohej në mënyrë totalisht abuzive”.
Stafa thotë se pati edhe raste helmimi nga konsumimi i ushqimit në restorante dhe bare. “Nga 163 raste të kontaminimit të konsumatorëve nga ushqimi i intoksikuar, këtë vit kemi 82 raste, në Dhërmi, Ksamil, Pogradec dhe Shëngjin”, tha ai. “Sipas informacioneve këta persona kanë qëndruar deri në 3-4 ditë në njësitë e kujdesit shëndetësor”.